Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Serbia vazhdon të mbetet e njëjtë si në kohën e Sllobodan Millosheviqit.
Ai ka thënë se mbështetësit e kasapit të Ballkanit vazhdojnë të jenë ende në pushtet, ku ka përmendur, Vuçiqin, Daçiqin dhe Vulinin, duke thënë se Serbia nuk ka ndryshuar asgjë.
Reagimi i tij vije pas zbulimit të një tjetër lokacioni në Zubin Potok ku dyshohet për varrezë masive.
“Pas gjetjes së mbetjeve mortore në një varr masiv në Kalludër të Zubin-Potokut, ku ende po vazhdojnë kërkimet dhe gjurmimet, sot, vetëm 10 kilometra më tutje, në fshatin Jabukë të po kësaj komune, u gjet edhe një varr tjetër masiv me mbetje mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Serbia vazhdon të mbetet e njëjtë si në kohën e Millosheviqit, jo vetëm përmes figurave si Aleksandar Vuçiqi dhe Ivica Daçiqi. Vuçiq ishte numri dy i Sheshelit, Daçiq ishte numri dy i Millosheviqit e Vulin numri dy i Mira Markoviqit. Të tre këta janë ende në pushtet në Serbi dhe ky shtet nuk ka ndërruar asgjë. Serbia vazhdon të mbetet e njëjta në formë dhe në përmbajtje”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai ka thënë se Serbia nuk jep informacione për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë dhe arreston qytetarët e saj që bashkëpunojnë për gjetjen e këtyre varrezave masive.
Sveçla ka falënderuar Policinë e Kosovës, njësitë përkatëse për hetimin e krimeve të luftës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorinë e Kosovës për punën e ndërmarrë në drejtim të hulumtimit, hetimit dhe identifikimit të këtyre lokacioneve.
Ai i ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë të dënojnë këtë qasje të Serbisë, duke shtuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë me përkushtim punën që të zbardhet fati i secilit person të vrarë dhe zhdukur nga shteti serb gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe të sjellim para drejtësisë secilin kriminel përgjegjës për krimet e asaj kohe.

