Antishqiptarizmi serb që përgënjeshtron “pragmatizmin” e Tiranës zyrtare
Mbrojtja e hapur që Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i bëri sot në një intervistë të gjatë për Top Channel, marrëveshjes për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër pasqyron një qasje që kërkon ta zhveshë diplomacinë nga çdo ngarkesë historike apo emotive.
Duke argumentuar se prania diplomatike serbe në veri të vendit nuk cenon sovranitetin dhe se Shqipëria synon hapjen e një përfaqësie në Bujanoc për t’u shërbyer shqiptarëve të Luginës, kryediplomati deklaroi prerazi se diplomacia nuk bëhet me emocione dhe se shqiptarët e Luginës nuk kanë nevojë për patriotizëm retorik.
Sipas tij, çdo prani diplomatike funksionon vetëm brenda kuadrit të ligjeve dhe reciprociteti nuk është një formulë matematike, por një mjet për të arritur rezultate konkrete.
Megjithatë, kjo tezë e diplomacisë teknokrate dhe optimiste u përgënjeshtrua në mënyrën më të egër e të drejtpërdrejtë nga realiteti i ashpër në Beograd. Gjatë mbrëmjes së djeshme, një ndeshje e UFC e zhvilluar në kryeqytetin serb, sporti u kthye sërish në një arenë të shpërthimit të urrejtjes antishqiptare.
Teksa sportisti amerikan me origjinë shqiptare, Dennis Buzukja, po hynte në ring me flamurin kuqezi në supe për përballjen e tij kundër sllovenit Bogdan Grad, nga tribunat e arenës shpërthyen thirrje skandaloze.
Në vend të një klime respekti apo fqinjësie diplomatike, nga publiku u dëgjuan brohoritje të dhunshme dhe sloganet rrëqethëse “Vritini shqiptarët!”, pamje që u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale duke shkaktuar reagime të shumta.
Pavarësisht kësaj atmosfere ekstremisht armiqësore, Buzukja zhvilloi një duel stoik në kafaz, edhe pse në fund gjyqtarët i dhanë fitoren kundërshtarit të tij.
Ndonëse përballja sportive kishte rëndësinë e vet, incidenti në tribuna mori të gjithë vëmendjen, duke zbuluar hendekun e madh mes diskursit zyrtar në Tiranë dhe mendësisë që vazhdon të ushqehet në Beograd.
Ndërsa diplomacia jonë përpiqet t’i relativizojë tensionet me argumente juridike e logjikë të ftohtë pragmatike, jehona e thirrjeve për shfarosje fizike tregon se retorika e urrejtjes mbetet më se e gjallë.
Thirrjet e dhunshme në Beograd ushtojnë shumë më fort se zëri i matur dhe i mekur i kryediplomatit tonë, duke vënë në pikëpyetje dobinë e një politike të jashtme që i mbyll sytë përpara realitetit.
tesheshi.com

