“Bomba” e qeverisë shqiptare ndaj një komuniteti ku gjenden rrënjët e vet shtetit shqiptar
Observatori Kombëtar Kundër Islamofobisë, platformë që monitoron dhe dokumenton Islamofobinë në hapësirën shqiptare, ka reaguar ndaj vendimit të Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë për shpalljen “non grata” të hoxhës Bekir Halimi, duke e cilësuar atë një vendim të pashoqëruar me asnjë arsyetim konkret, që rrezikon të kthehet në “dënim publik pa gjyq”.
Ministria e Brendshme shpalli të martën “non grata” hoxhën Bekir Halimi dhe analistin Valon Bela nga Maqedonia e Veriut, duke ua ndaluar hyrjen në territorin shqiptar për një periudhë dhjetëvjeçare. Sipas autoriteteve shqiptare, vendimi është marrë mbi bazën e informacioneve të strukturave të sigurisë, të cilat kanë vlerësuar se veprimtaria e tyre përbën kërcënim për sigurinë kombëtare.
Në reagimin e tij, Observatori Kombëtar Kundër Islamofobisë thekson se vendimi cenon prezumimin e pafajësisë, riprodhon një model shqetësues të trajtimit të figurave fetare muslimane si të dyshimta a priori dhe godet ndjeshmërinë e besimtarëve muslimanë në mbarë hapësirën shqipfolëse. Observatori i kërkon Ministrisë së Brendshme të bëjë publik arsyetimin e plotë të vendimit ose ta rishikojë atë, t’i garantojë z. Halimi të drejtën efektive të ankimit dhe të shmangë çdo praktikë që i trajton figurat fetare myslimane si rrezik sigurie mbi baza të padeklaruara.
Më poshtë reagimi i plotë i Observatorit Kombëtar Kundër Islamofobisë:
Mbi shpalljen “non grata” të hoxhës Bekir Halimi nga Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë
Observatori Kombëtar Kundër Islamofobisë e shikon me shqetësim vendimin e Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë për shpalljen “non grata” të hoxhës Bekir Halimi, ligjërues i njohur islam nga Shkupi dhe luftëtar i UÇK-së, të cilit i ndalohet hyrja në territorin shqiptar për një periudhë dhjetëvjeçare.
Ky vendim është marrë dhe është bërë publik pa u shoqëruar me asnjë arsyetim konkret, pa asnjë provë të bërë publike dhe pa i dhënë personit të prekur mundësinë paraprake për t’u dëgjuar. Referimi i përgjithshëm te “informacione të strukturave të sigurisë” nuk mund të zëvendësojë detyrimin kushtetues të shtetit për transparencë, arsyetim të vendimeve administrative dhe respektim të procesit të rregullt ligjor. Kur një masë kaq e rëndë godet emrin dhe nderin e një figure publike fetare, mungesa e çdo shpjegimi e kthen vetë vendimin në dënim publik pa gjyq.
Pse e shohim këtë vendim si problematik
Së pari, ai cenon parimin e prezumimit të pafajësisë. Bekir Halimi nuk është dënuar nga asnjë gjykatë, në asnjë vend, për asnjë vepër penale. Etiketimi i tij si “kërcënim për sigurinë kombëtare” pa asnjë fakt të verifikueshëm publik e njollos padrejtësisht një njeri dhe, bashkë me të, komunitetin e gjerë të besimtarëve që ai përfaqëson.
Së dyti, ai riprodhon një model shqetësues të njohur ndërkombëtarisht: trajtimin e figurave fetare muslimane si të dyshimta a priori, ku përkatësia fetare dhe veprimtaria e mësimdhënies islame trajtohen në vetvete si tregues rreziku. Ky është përkufizimi klasik i islamofobisë institucionale dhe nuk ka vend në një shtet të së drejtës, anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Së treti, ai godet ndjeshmërinë e miliona shqiptarëve myslimanë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporë, për të cilët Bekir Halimi njihet si kontribues i jetës fetare dhe kombëtare. Një vendim i tillë, i pashpjeguar, dërgon mesazhin se hapësira shqiptare mund të mbyllet për klerikët myslimanë me një akt administrativ, pa llogaridhënie.
Ky precedent mbart pasoja serioze:
• dëmtimin e besimit të komunitetit mysliman ndaj institucioneve shtetërore;
• nxitjen e ligjërimit islamofob në media dhe në rrjetet sociale, ku etiketa “non grata” po përdoret tashmë për të stigmatizuar;
• efektin frenues mbi lirinë e fjalës dhe të besimit të klerikëve e ligjëruesve fetarë;
• dëmtimin e imazhit të Shqipërisë si vend i harmonisë ndërfetare, vlerë të cilën vetë shteti shqiptar e promovon në arenën ndërkombëtare.
Observatori Kombëtar Kundër Islamofobisë i kërkon Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë:
1. Të bëjë publik arsyetimin e plotë ligjor dhe faktik të vendimit, ose ta rishikojë atë pa vonesë;
2. T’i garantojë z. Halimi të drejtën efektive të ankimit administrativ dhe gjyqësor, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut;
3. Të shmangë çdo praktikë që i trajton figurat fetare muslimane si rrezik sigurie mbi baza të padeklaruara.
Ftojmë institucionet e pavarura, Avokatin e Popullit dhe Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, të shqyrtojnë ligjshmërinë dhe proporcionalitetin e këtij vendimi.
Drejtësia nuk mbrohet me heshtje institucionale. Ajo mbrohet me transparencë, me prova dhe me respekt për dinjitetin e çdo qytetari, pavarësisht besimit të tij.
Observatori Kombëtar Kundër Islamofobisë

