RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Një pakt i ri në horizont: kush do ta kontrollojë Hormuzin?

nje-pakt-i-ri-ne-horizont:-kush-do-ta-kontrolloje-hormuzin?

Mund të rihapë rrugën detare më të rëndësishme të botës, por ka ende shumë pikëpyetje

Ngushtica e Hormuzit, një nga arteriet më të rëndësishme të tregtisë globale, mund të jetë sërish pranë rihapjes pas javësh tensionesh mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Sipas Al Jazeera-s, negociatat e ndërmjetësuara nga Omani synojnë të rivendosin armëpushimin e 17 qershorit dhe të hapin rrugën për bisedime më të gjera mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Në qendër të bisedimeve qëndrojnë dy çështje kryesore: kontrolli i ngushticës dhe e drejta për të vendosur tarifa mbi anijet tregtare. Kriza nisi pasi Irani kufizoi qarkullimin detar, duke shkaktuar tronditje në tregjet botërore të energjisë dhe duke shtuar frikën për një rritje të mëtejshme të çmimeve të naftës.

Sipas planit që po diskutohet, anijet që hyjnë në Gjirin Persik do të kalojnë përmes një korridori verior, pranë brigjeve iraniane, ndërsa ato që largohen do të përdorin një korridor jugor, përgjatë bregdetit të Omanit.

Al Jazeera raporton se marrëveshja do të ketë fillimisht një afat 60-ditor dhe, të paktën në fazën e parë, nuk do të parashikojë pagesa për kalimin e anijeve.

Megjithatë, Irani dhe Shtetet e Bashkuara mbeten larg një dakordësie të plotë. Teherani kërkon të ruajë rolin e tij në administrimin e trafikut detar dhe të drejtën për të ofruar shërbime të ndryshme për anijet që kalojnë nëpër ngushticë.

Ndërkohë Uashingtoni, këmbëngul që lundrimi të mbetet plotësisht i lirë dhe që asnjë vend të mos ketë kontroll të plotë mbi këtë rrugë strategjike.

Një tjetër pengesë është mungesa e besimit mes palëve. Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se ngushtica do të rihapet së shpejti, por njëkohësisht ka kërcënuar me përdorimin e forcës ushtarake në rast se dështojnë negociatat.

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane vazhdojnë të mohojnë ekzistencën e kontakteve të drejtpërdrejta me SHBA-në, duke këmbëngulur se Omani mbetet ndërmjetësi i vetëm.

Pesha ekonomike e kësaj çështjeje është e jashtëzakonshme. Para shpërthimit të krizës, rreth 130 anije kalonin çdo ditë nëpër Hormuz, ndërsa tani numri i tyre ka rënë në vetëm tetë.

Një situatë e tillë mund të ketë pasoja të rënda për ekonominë botërore. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se edhe një marrëveshje e suksesshme nuk do t’i japë fund tensioneve në rajon.

Al Jazeera citon analistë të ndryshëm, sipas të cilëve pakti mund të jetë vetëm hapi i parë drejt negociatave më të gjera mbi programin bërthamor iranian dhe konfliktet e shumta që vazhdojnë të tronditin Lindjen e Mesme.

Pikërisht për këtë arsye, pyetja që mbetet pa përgjigje është nëse marrëveshja do të sjellë stabilitet afatgjatë apo do të jetë thjesht një armëpushim i përkohshëm në një nga pikat më të nxehta të planetit. tesheshi

Related posts

Del në shitje shtëpia e përdorur për filmin e Krishtlindjeve ‘Home Alone’, ja shifra marramendëse me të cilën është hedhur në treg

admin

Arrestohet një francez në Moskë nën dyshimin për shkelje të ligjit për “agjentët e huaj”

admin

Rusia: Vizita e Zelenskyt në Uashington tregon se as Ukraina e as SHBA-ja s’duan paqe

admin