Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 30 vatra zjarri në Shqipëri, nga të cilat 8 vijojnë aktive, njoftoi Ministria e Mbrojtjes, transmeton Anadolu.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 54 automjete zjarrfikëse dhe 502 forca operacionale, përmes koordinimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefekturave, njësive të qeverisjes vendore dhe Forcave të Armatosura.
Në mbështetje të operacioneve janë angazhuar 110 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe avioni “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Puna për shuarjen e zjarreve po vijon në Dajt, Priskë dhe Çakallesh por nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Riban, Ngraçan dhe Panahor, në bashkinë Mallakastër, vijon operacioni për shuarjen e zjarrit në terren të vështirë por edhe aty aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Edhe në zonat e bashkisë së Elbasanit dhe ato të bashkisë së Beratit po vijon ndërhyrja për shuarjen e vatrave të zjarrit dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin.

