Një gjykatë federale apeli të premten bllokoi planin e presidentit Donald Trump për ndërtimin e një salle të madhe të re balloje në Shtëpinë e Bardhë, duke hapur rrugën për një betejë të mundshme ligjore në Gjykatën Supreme, transmeton Anadolu.
“Çdo president është qiramarrës i përkohshëm, jo pronar i Shtëpisë së Bardhë dhe Rezidencës Ekzekutive. Presidenti nuk ka – dhe nuk pretendon se ka – autoritet kushtetues të përcaktuar mbi këtë pronë, e cila është projektuar dhe mirëmbahet për përdorimin e të gjithë presidentëve, aktualë dhe të ardhshëm, si dhe për popullin amerikan”, thuhet në vendimin 2-1 të Gjykatës së Apelit të Distriktit të Kolumbias, e cila doli në favor të organizatës më të madhe të vendit për ruajtjen e trashëgimisë historike.
“National Trust ka treguar bindshëm se Kongresi nuk ia ka deleguar pushtetit ekzekutiv autoritetin e pakufizuar për të ridizajnuar, riformësuar dhe rindërtuar në mënyrë drastike Shtëpinë e Bardhë – Shtëpinë e Popullit – për t’iu përshtatur dëshirave të një presidenti të caktuar”, thuhet në vendimin e paemërtuar të gjykatës.
Gjykata gjithashtu shtyu hyrjen në fuqi të vendimit për dy javë, duke i dhënë Trumpit mundësinë të apelojë në gjykatën më të lartë të vendit.
Në përgjigje të vendimit, Trump tha: “Ne do ta apelojmë menjëherë në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara”.
“Ushtria dhe Shërbimi Sekret e konsiderojnë këtë vendim të tmerrshëm, të motivuar politikisht dhe të paligjshëm si një kërcënim për sigurinë kombëtare të vendit tonë, pasi i gjithë kompleksi po ndërtohet për mbrojtjen e vendit tonë dhe, për më tepër, të të gjithë presidentëve të ardhshëm”, shkroi ai në platformën e tij Truth Social.
“Nuk do të ketë asnjë shpenzim për taksapaguesin amerikan. Ky vendim i padrejtë duhet të përmbyset tërësisht nga Gjykata Supreme”, shtoi ai.
Në një postim të mëvonshëm në Truth Social, Trump kritikoi sërish vendimin, duke argumentuar se dy nga gjyqtarët që e morën atë janë emëruar nga ish-presidentët Barack Obama dhe Joe Biden.
“Dy gjyqtarë, njëri i emëruar nga Barack Hussein Obama, tjetri nga ‘Sleepy Joe’ Biden”, shkroi Trump, duke iu referuar gjyqtarëve që vendosën kundër planit të tij.
Duke argumentuar se presidentët amerikanë nuk janë “qiramarrës” të Shtëpisë së Bardhë, pasi zgjidhen nga populli amerikan, Trump pretendoi se ata kanë autoritetin për të “rregulluar, rinovuar, siguruar, mbrojtur dhe zbukuruar” hapësirat e Shtëpisë së Bardhë.
Trump tha se Shtëpia e Bardhë është “ndërtuar dhe rindërtuar, rinovuar dhe rinovuar sërish, riparuar dhe, thjesht, është bërë më e mirë” shumë herë që nga viti 1792, pa pasur nevojë për leje nga Kongresi apo të tjerë.
Duke e cilësuar vendimin si “kërcënim për sigurinë kombëtare në nivelin më të lartë”, ai e quajti atë “turp kombëtar”, ndërsa përsëriti mbrojtjen e tij për kompleksin e planifikuar, për të cilin tha se përfshin një “sallë të sigurt balloje/kompleks ushtarak” dhe një bazë të madhe për dronë në çati.

