Cinizmi fyes: Shqipëria drejt të qënit “Europë e Ballkanit”, shqiptarët nuk ditkan gjë(!)
Kryeministri Rama ka shfrytëzuar me një cinizëm të pashoq bllokimin e në kolektori në Kashar, duke prodhuar një tiradë të marrëzishme politike në komentin e tij, më shumë se marrëzia e gjetjes së një trungu peme në këtë kolektor.
“Për më shumë se një dekadë, sa herë binte një shi sado i shkurtër, ujërat e zeza merrnin mbarë bulevardin e Kasharit dhe shpërthenin nëpër lagje. Preventiva, ndërhyrje, rindërhyrje të pasuksesshme derisa dje u zbulua shkaku i vërtetë dhe i pabesueshëm i bereqetit të zi që sillte shiu sa herë binte mbi Kashar, ku përpara Reformës së Parë Territoriale, Komuna e Kasharit, një bastion krenar i demokratëve, ndërtoi kolektorin kryesor të ujërave të zeza në Bulevardin e Kasharit.
Kamerat speciale nëntokësore hynë brenda në kolektor dhe gjetën aty atë që zor se mund ta kapte edhe fantazia më e shfrenuar: Një trung peme 8 metrosh i shtrirë brenda tubit kryesor të ujërave të zeza
Pra gjatë punimeve, një çinar i madh, 8 metra i gjatë që gjendej atypari, u pre dhe, në vend që të largohej nga kantieri, u ‘varros’ brenda kolektorit!
Se çfare u tha mendja atyre që e urdhëruan dhe e zbatuan këtë veprim kriminal vetëm Zoti e di, por kjo është edhe një kujtesë shumë konkrete për të gjithë ata që kanë harruar pse Shqipërisë i duhej Reforma Territoriale”.
Pra, pa pritur të marrë një shpjegim të qartë se pse ndodhej aty ai trung peme, ai spekullon në mënyrën më banale të mundshme dhe e lidh këtë me reformën territoriale, gjë që nuk lidhet asgjëkundi. Dhe jo vetëm kaq. E gjithë qeverisja e tij është përplot me trungje të tilla në kolektorë të sektorëve të ndryshëm, pra me gafa dhe skandale, si dhe me dështime ulëritëse.
Por Rama është treguar dhe më fyes me inteligjencën e shqiptarëve në këtë rast, ku Shqipërinë e ka cilësuar “Europë e Ballkanit”, fiks si Berisha kur krahasonte Shqipërinë me Gjermaninë, apo dhe si Enveri kur e quante “fanar ndriçues për botën”.
“Shqipëria e re nuk është vetëm Europa e Ballkanit që po ndërtojmë, po edhe ajo që zbulon, pastron dhe korrigjon deformimet e mbetura ende në rrugën tonë nga Gropa e Zezë e Ballkanit që ky vend ishte kur ne morëm detyrën”.
Kjo që shkruan ai është jo vetëm fyese por dhe cinike. Se ç’është Shqipëria dhe ç’është ai, është shpalosur më së miri në protestat që nisën më shumë dy muaj më parë dhe s’kanë të ndalur. Aty, me gjuhën e memeve fantastike, gjithë fantazi, iu rrëzua e gjithë propaganda e trashë dhe e padurueshme e 13 viteve.
Po, qeverisja e Berishës ishte plot marrëzi, ama nuk e çoi drejt shuarjes Shqipërinë duke e zbrazur nga rinia e jo vetëm. Ndërsa me Ramën, Shqipëria sot është gati në rrezik ekzistencial, jo vetëm nga një shpopullim i frikshëm, gjëma më e rëndë që mund t’i ketë ndodhur kësaj toke në histori, por dhe nën një pushtim të heshtur izraelit. /tesheshi

