RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Maqedonia e Veriut shënon 25-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, theksohet rëndësia e paqes, bashkëjetesës dhe besimit

maqedonia-e-veriut-shenon-25-vjetorin-e-marreveshjes-se-ohrit,-theksohet-rendesia-e-paqes,-bashkejeteses-dhe-besimit

Në Shkup u shënua të enjten 25-vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, me një ngjarje të organizuar pranë Urës së Gurit, ku zyrtarë të lartë të vendit theksuan rëndësinë e marrëveshjes për paqen, bashkëjetesën dhe zhvillimin e vendit, raporton Anadolu.

Në fjalimet e tyre, zyrtarët u fokusuan në mësimet e nxjerra nga Marrëveshja e Ohrit dhe përgjegjësinë për ndërtimin e një shteti të qëndrueshëm, demokratik dhe evropian.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, tha se Marrëveshja e Ohrit hodhi themelet për një shtet ku të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, gjuhësore, kulturore apo fetare, duhet të ndihen të barabartë në të drejta dhe detyrime.

“Sot, një çerek shekulli më vonë, mund të themi me bindje të plotë se Marrëveshja e Ohrit solli një transformim të rëndësishëm të realitetit politik dhe shoqëror në vendin tonë”, tha Sali.

Ministri i Transportit dhe zëvendëskryeministri Aleksandar Nikoloski tha se Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk ishte marrëveshje e fituesve dhe të mundurve, por marrëveshje që i mundësoi shtetit të vazhdojë përpara dhe të ndërtojë të ardhmen e tij.

“Para 25 vjetësh, mendoj se fitorja më e madhe ishte se u arrit të vendosej një trajektore dhe një rrugë që çon përpara”, tha Nikoloski.

Ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve, Agon Ferati, tha se sfida e brezit të sotëm është ndërtimi i besimit në institucione, drejtësi dhe te njëri-tjetri.

“Detyra jonë kërkon po aq guxim, por kërkon një lloj tjetër guximi, guximin për të ndërtuar besimin në institucione, në drejtësi, në fjalën që japim, dhe mbi të gjitha në njëri-tjetrin”, tha Ferati.

Për 25-vjetorin e marrëveshjes, sot gjatë ditës u mbajt po ashtu seancë solemne e Qeverisë, ku Sali tha se Marrëveshja e Ohrit ishte instrument për përfundimin e konfliktit të vitit 2001 dhe vendosi një standard të ri politik për përfshirjen, përfaqësimin e drejtë, dialogun dhe besimin ndërmjet qytetarëve.

“Përgjegjësia jonë sot nuk është vetëm ta mbrojmë Marrëveshjen e Ohrit si arritje historike, por edhe ta zhvillojmë atë”, tha Sali.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Nikoloski tha se 25 vjet pas marrëveshjes, vendi mund të nxjerrë mësime nga ngjarjet e vitit 2001 dhe të shohë më objektivisht zhvillimet e asaj periudhe.

“Para 25 vjetësh shteti mund të ndiqte rrugën e ndarjeve, por zgjodhi një rrugë krejt tjetër – rrugën e bashkëpunimit, dialogut, respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë”, tha Nikoloski.

Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski, në një postim në rrjetet sociale me rastin e përvjetorit, tha se Marrëveshja e Ohrit është pjesë e historisë së afërt dhe realitetit politik e institucional të vendit, duke theksuar se nga e kaluara duhet të nxirren mësime dhe të ndërtohet një shtet ku dallimet nuk do të jenë shkak për ndarje.

Kryeparlamentari Afrim Gashi, në shënimin e përvjetorit në Kuvend, tha se Marrëveshja e Ohrit mbetet një shtyllë e rëndësishme e arkitekturës kushtetuese dhe institucionale të shtetit.

“Përgjegjësia jonë sot është të ndërtojmë mbi mësimet e saj dhe t’i shndërrojmë ato në standarde të qëndrueshme të demokracisë dhe bashkëjetesës”, tha Gashi.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht 2001 nga përfaqësuesit e atëhershëm të institucioneve shtetërore dhe të partive politike shqiptare, me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar. Ajo synonte t’i jepte fund konfliktit të armatosur dhe parashikonte një sërë reformash në fushën e përdorimit të gjuhëve, përfaqësimit të drejtë dhe decentralizimit.

Related posts

Studentja shqiptare e Shkupit: Maqedonasit duan të na poshtërojnë!

RTI

Alarmohen sërish autoritetet e sigurisë në Serbi, 15-vjeçari në Beograd kërcënon me vrasje në shkollë

Muhamet Ramadani

E rëndë në Suedi, 39-vjeçari qëllohet dhe vritet në sy të djalit të tij. Rriten shqetësimet për praninë e bandave në vend

admin