Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.7 ka goditur pjesën lindore të Indonezisë, duke shkaktuar vdekjen e 14 personave, panik dhe shembjen e ndërtesave dhe banesave në një zonë të rrezikuar nga tërmetet, transmeton Anadolu.
Një paralajmërim për cunami, i lëshuar nga Agjencia Meteorologjike, Klimatologjike dhe Gjeofizike e Indonezisë për disa zona, më pas është hequr.
Agjencia e regjistroi epiqendrën e tërmetit në koordinatat 8.41 gradë gjerësi jugore dhe 121.39 gradë gjatësi lindore, në një thellësi prej 15 kilometrash.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), tërmeti i cekët goditi rajonin Flores në një thellësi prej 10 kilometrash në orën 05:58 me kohën lokale. Pas tij u regjistruan dy lëkundje pasuese, njëra me magnitudë 6.1.
Sipas raportimeve të mediave, lëkundje të forta u raportuan në disa zona, duke bërë që banorët e frikësuar të largoheshin nga shtëpitë dhe të strehoheshin në rrugë.
Autoritetet gjithashtu evakuuan rreth 2.000 njerëz në strehim të sigurt nga zonat e prekura.
Ekipet e shpëtimit po vijojnë të vlerësojnë dëmet dhe numrin e viktimave në zonat e prekura të ishullit Flores, ndërsa priten informacione të mëtejshme teksa vazhdojnë përpjekjet e reagimit emergjent.
Indonezia ndodhet përgjatë të ashtuquajturës “Unaza e Zjarrit” e Paqësorit, një zonë me vullkane dhe linja tektonike që rrethon pellgun e Paqësorit dhe është shumë e ekspozuar ndaj lëkundjeve të shpeshta sizmike.

