Në prani të udhëheqjes më të lartë ushtarake dhe shtetërore të Maqedonisë së Veriut, sot në Kampin e Trajnimit në Ujë në Ohër u mbajt ceremonia qendrore me rastin e “18 Gushtit – Ditës së Armatës”, transmeton Anadolu.
Në ceremoninë qendrore me rastin 34-vjetorit të ushtrisë, folën presidentja dhe komandantja supreme e Forcave të Armatosura, Gordana Siljanovska-Davkova, ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneral-majori Sashko Lafçiski.
Siljanovska-Davkova vlerësoi profesionalizmin, përkushtimin dhe gatishmërinë e pjesëtarëve të Armatës, duke theksuar se ajo është një formacion ushtarak i organizuar mirë, me integritet profesional, kredibilitet operacional dhe ndërveprueshmëri të lartë me forcat aleate.
Ajo shtoi se vlerësimet e larta për Grupin e Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë dhe pjesëmarrja në misionet ndërkombëtare dëshmojnë përmbushjen e detyrimeve të vendit në NATO.
Ndërkaq, Misajllovski tha se në periudhën e ardhshme do të vazhdojnë me intensitet të lartë aktivitetet për modernizimin e Armatës, zhvillimin e infrastrukturës, si dhe rritjen e numrit të trajnimeve dhe stërvitjeve. Ai theksoi se këto masa kontribuojnë në forcimin e sigurisë së vendit, rajonit dhe krahut lindor të NATO-s.
Nga ana e tij, Lafçiski vlerësoi se periudha ndërmjet dy festave ishte veçanërisht e suksesshme për Armatën, e cila, sipas tij, konfirmoi pjekurinë operacionale dhe aftësinë për të përmbushur standardet më të larta kombëtare dhe të NATO-s.
Në kuadër të ceremonisë, presidentja Siljanovska-Davkova dekoroi me “Urdhrin për Merita Ushtarake” Komandën e Operacioneve dhe Qendrën për Mbarështimin dhe Trajnimin e Qenve, për kontributin e tyre në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe përmbushjen e detyrave.
Dita e Armatës, 18 Gushti, shënohet që nga viti 1993, në përkujtim të formimit të batalionit “Mirçe Acev” në vitin 1943.

