Kancelari gjerman, Friedrich Merz, të mërkurën dënoi ashpër ministrin izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, për thirrjen e tij të fundit për të vrarë “30 deri në 40” njerëz në Gaza çdo natë, transmeton Anadolu.
“Kancelari dënon me forcë thirrjet çnjerëzore të ministrit Ben-Gvir, të cilat shkelin ligjin ndërkombëtar. Ato janë të papranueshme,” tha zëvendës zëdhënësi i qeverisë Sebastian Hille në një konferencë për shtyp në Berlin.
Hille tha se krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së ranë dakord në samitin e tyre të qershorit për të përgatitur sanksione kundër politikanëve ekstremistë që mbrojnë shkeljet e dinjitetit njerëzor dhe ligjit ndërkombëtar.
“Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do ta trajtojnë këtë çështje në ditët në vijim në takimin e tyre jozyrtar në Gymnich. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian Kaja Kallas do të paraqesë propozime për këtë çështje,” shtoi ai.
Ben-Gvir kohët e fundit bëri thirrje për shtimin e sulmeve ajrore në Rripin e Gazës dhe që Izraeli të vriste “30 deri në 40” palestinezë në ditë, duke rinovuar gjithashtu thirrjet për të rivendosur izraelitët në enklavën palestineze në kurriz të popullsisë indigjene.

