Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, ka mbërritur në Itali për të zhvilluar takime me Papa Leonin, presidentin Italian, Sergio Mattarella dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni, transmeton Anadolu.
Agjencia shtetërore libaneze e lajmeve NNA raportoi se Aoun mbërriti në aeroportin ushtarak Ciampino pranë Romës, ku u prit nga Bruno Pasquino, shef i protokollit diplomatik të Italisë dhe Javier Fernandez Gonzalez, shef i protokollit të Vatikanit.
Sipas planit, Papa Leoni do të presë presidentin Aoun nesër në orën 09:30 me kohën lokale, pasuar nga një takim me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin.
Të premten, Aoun pritet të takohet me presidentin Mattarella dhe kryeministren Meloni.
Agjencia libaneze e lajmeve nuk dha detaje mbi temat e planifikuara për bisedimet, por ato pritet të përfshijnë çështje libaneze dhe rajonale, si dhe marrëdhëniet dypalëshe.
Vizita e presidentit Aoun zhvillohet në një kohë kur vazhdojnë shkeljet izraelite në Liban, pavarësisht nënshkrimit të një marrëveshjeje kornizë mes Bejrutit dhe Tel Avivit më 26 qershor.
Marrëveshja kornizë parashikon tërheqjen graduale të Izraelit nga territoret e pushtuara libaneze në këmbim të dislokimit të ushtrisë libaneze në këto zona dhe çarmatimit të grupeve të armatosura, duke iu referuar Hezbollahut.
Sipas autoriteteve libaneze, sulmet izraelite në Liban që nga 2 marsi kanë vrarë 4.348 persona dhe kanë plagosur 12.307 të tjerë, ndërsa më shumë se 1 milion njerëz janë zhvendosur dhe është shkaktuar shkatërrim i gjerë.
Izraeli vazhdon të pushtojë zona në jug të Libanit, disa prej të cilave prej dekadash dhe të tjera që nga lufta e mëparshme midis viteve 2023 dhe 2024. Gjatë ofensivës aktuale, forcat izraelite kanë avancuar më shumë se 10 kilometra brenda territorit libanez.

