Greqia po zhvendos një bateri të sistemit raketor Patriot nga ishulli Karpathos në bazën detare të Souda-s në Kretë, për të forcuar mbrojtjen ajrore, raportoi gazeta greke “Kathimerini”.
Vendimi vjen rreth 24 orë pasi zyrtarë të lartë iranianë kërcënuan me sulme të mundshme ndaj bazave amerikane në territorin evropian.
Sipas raportimit, Ministria greke e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura janë në gatishmëri që nga java e kaluar dhe po vlerësojnë nivelin e kërcënimit, si dhe masat për mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Bateria Patriot, së bashku me pajisjet dhe personelin e saj, u largua nga Karpathos në orët e para të mëngjesit dhe pritej të vihej në funksion brenda disa orësh në zonën më të gjerë të Souda-s.
Sistemi ishte vendosur në Karpathos në mars, si pjesë e një plani më të gjerë për mbrojtjen e hapësirës ajrore greke nga sulme të mundshme me raketa balistike.
Zhvendosja pasqyron shqetësimet e Athinës lidhur me arsenalin iranian, i cili, sipas vlerësimeve të aleatëve, ende përfshin një numër të konsiderueshëm raketash balistike me rreze veprimi mbi 2,000 kilometra. Kjo do të mundësonte që infrastruktura në Evropën juglindore të jetë brenda rrezes së tyre.
Ndërkohë, Ministria greke e Mbrojtjes po shqyrton nëse duhet të zgjasë apo të përfundojë dislokimin e një njësie greke Patriot të vendosur në Yanbu të Arabisë Saudite që nga shtatori i vitit 2021.
Sipas “Kathimerini”, kthimi i parakohshëm i njësisë në Greqi shihet si skenari më i mundshëm. Njësia ka interceptuar raketa balistike dhe dronë të lëshuar nga Irani dhe rebelët Huthi të Jemenit ndaj objekteve energjetike në Arabinë Saudite që nga fillimi i luftës amerikane kundër Iranit. /mesazhi

