RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Nëntë arsyet pse Edi Rama nuk mund të rishpikë veten

nente-arsyet-pse-edi-rama-nuk-mund-te-rishpike-veten

Pas retushimit politik, mbeten të njëjtat pyetje për pushtetin dhe transparencën

Edi Rama e ka kuptuar prej kohësh fuqinë e skenografisë politike. Takimet në vila, dokumentet me emra simbolikë, fjalët për “pastërti”, projektet teknologjike dhe riorganizimet e mëdha të strukturave janë mënyra për t’i dhënë publikut ndjesinë se diçka po ndryshon.

Në këtë kuptim, Pogradeci duket si skena e përsosur për çeljen e një kapitulli të ri. Aty u shfaqën drejtuesit politikë, drejtuesit e komisioneve parlamentare, dokumenti “Besa” dhe tani edhe “Pasqyrë Albania”, një tjetër premtim se qeveria do të jetë më pranë qytetarit.

Por një qeveri nuk ndryshon sepse ndryshon skenografia. Dhe as një marrëdhënie e konsumuar me qytetarët nuk riparohet duke i vënë një emër të ri teknologjik të njëjtit mekanizëm administrativ.

Pas 13 vitesh në pushtet, pyetja e vërtetë nuk është nëse Rama mund të shpikë një tjetër platformë, slogan apo dokument, por nëse mund të ndryshojë mekanizmin politik dhe ekonomik që ka ndërtuar.

Pikërisht këtu qëndron problemi më i madh:. Ai nuk është thjesht drejtuesi i këtij sistemi, por edhe politikani që është bërë pjesë e pandashme e tij. Rama është sot peng i të njëjtave rrjete të pushtetit, interesave dhe marrëdhënieve jo transparente që kanë funksionuar gjatë këtyre 13 viteve.

E pikërisht për këtë arsye është e vështirë të besohet se mund të prodhojë vetë ndryshimin që pretendon. Mund të ndryshojnë ministrat, drejtuesit politikë, dokumentet dhe fjalori. Por janë të paktën nëntë arsye pse mekanizmi i vjetër rrezikon të mbetet i paprekur.

E para, problemi nuk është vetëm te njerëzit, por te modeli i qeverisjes. Nëse Rama kërkon një koordinim edhe më të ngushtë mes ministrave, deputetëve, drejtuesve politikë dhe administratës, atëherë kemi përpara më shumë forcim të kontrollit qendror sesa reformim të mënyrës së qeverisjes. Një kabinet i ri nuk prodhon automatikisht një qeveri të re.

Përkundrazi, pas kaq shumë vitesh pushtet, një ndryshim real do të kërkonte të prekej vetë mënyra se si merren vendimet, si shpërndahen paratë publike, si funksionon administrata dhe si vendosen kufijtë mes interesit publik dhe atij privat. Ndërrimi i disa figurave nuk mjafton nëse marrëdhëniet që i kanë mbajtur ato në pushtet mbeten të njëjta.

E dyta, “Besa” nuk mund të zëvendësojë përgjegjësinë. Dokumenti i prezantuar nga Rama si strategji politike dhe qeverisëse për mandatin e katërt mund të shërbejë si pikënisje për një kapitull të ri. Por besimi nuk rikthehet me dokumente politike.

Ai rikthehet kur qytetari sheh më shumë transparencë, më shumë llogaridhënie, më pak privilegje për të lidhurit me pushtetin dhe një administratë që funksionon sipas rregullave dhe jo sipas marrëdhënieve. Nëse këto nuk ndryshojnë, “Besa” mbetet një tjetër emër politik për një premtim të vjetër.

E treta, edhe “Pasqyrë Albania” ekspozon paradoksin e qeverisë. Rama prezantoi me entuziazëm projektin që synon t’i lejojë qytetarët të paraqesin kërkesat, ankesat dhe shqetësimet e tyre dhe më pas t’i gjurmojnë ato në kohë reale.

Ideja në vetvete, mund të duket e dobishme: qytetari paraqet hallin, sistemi e regjistron, institucioni përgjigjet dhe afatet kontrollohen. Por në të njëjtën ditë kur kryeministri prezantonte sistemin që do të gjurmojë “çdo hall të qytetarit”, në Tiranë qytetarët zhvilluan ditën e 85-të radhazi të protestës.

Ata nuk kishin nevojë për një platformë. Nuk kishin nevojë të hapnin llogari, të plotësonin formularë apo të kontrollonin statusin e ankesës. Dolën në shesh. Kjo do të thotë se qeveria nuk ka përballë një hall që ka humbur në sportelet e administratës. Ka përballë një kërkesë politike të drejtpërdrejtë: të largohet!

Dhe këtu “Pasqyrë Albania” ndeshet me paradoksin e vet. Rama kërkon një sistem që institucionet të mos humbin më shqetësimet e qytetarëve, ndërsa prej 85 ditësh është i shurdhër ndaj asaj që po ndodh përpara Kryeministrisë. Çfarë do të gjurmojë “Pasqyrë Albania” që nuk mund të dëgjohet sot nga dritarja e Kryeministrisë?

E katërta, teknologjia nuk mund të zëvendësojë vullnetin politik. “Pasqyrë Albania” është vetëm hallka e fundit e një serie emërtimesh që qeveria ka futur në komunikimin e saj publik. Më parë erdhi Diella, figura e krijuar me inteligjencë artificiale dhe e paraqitur si pjesë e modelit të ri teknologjik të qeverisjes.

Pastaj Ylli, asistenti dixhital për fermerët. Më pas “Besa” dhe tani “Pasqyrë Albania”. Problemi nuk është nëse këto mjete funksionojnë teknikisht. Problemi është pretendimi se një marrëdhënie e prishur politikisht mes qytetarit dhe institucioneve mund të riparohet duke ndërtuar një kanal të ri dixhital.

Qytetarët që protestojnë nuk po kërkojnë të dinë nëse ankesa e tyre ka kaluar nga një drejtori në tjetrën. Ata po kërkojnë përgjigje politike. Dhe Rama nuk ka nevojë për algoritëm për të zbuluar se çfarë kërkojnë protestuesit. Prej 85 ditësh mesazhi vjen pa ndërmjetës.

E pesta, skandalet vazhdojnë të prodhohen nga i njëjti sistem. Rasti i fundit i raportuar për pagesën paraprake prej 9.6 milionë eurosh për automjetet e IKMT-së është ilustrues për pikëpyetjet që vazhdojnë të shoqërojnë mënyrën se si përdoren paratë publike.

Fatura është lëshuar më 8 korrik, urdhri më 22 korrik, kontrata është formalizuar më 6 gusht dhe pagesa e plotë nga Thesari është kryer më 18 gusht. Në qendër të këtij rasti është biznesmeni izraelit Ron Yeffet dhe kompania Timak Defence.

Yeffet është shfaqur vitet e fundit gjithnjë e më shumë në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes dhe furnizimet me mjete për institucionet shtetërore. Rritja e rolit të tij dhe marrëdhëniet e kompanisë me shtetin shqiptar kanë ngritur pikëpyetje që kërkojnë transparencë dhe sqarim publik.

Ky rast, pavarësisht se si do të përfundojë dhe çfarë do të provohet juridikisht, tregon një problem më të gjerë: qeveria vazhdon të përballet me dyshime për mënyrën se si lidhen kontratat, si përzgjidhen përfituesit dhe sa e hapur është procedura për publikun.

Dhe pikërisht këtu bie pretendimi për një “Ramë të ri”. Nëse pas 13 vitesh vazhdojnë të shfaqen të njëjtat modele të përqendrimit të kontratave, të njëjtat marrëdhënie të privilegjuara dhe të njëjtat pikëpyetje për transparencën, atëherë nuk kemi një sistem që po ndryshon, por një sistem që po ripaketojë veten.

E gjashta, Rama mbetet peng i rrjeteve që vetë pushteti ka krijuar dhe ushqyer. Ky është ndoshta problemi më i vështirë për t’u zgjidhur. Një kryeministër mund të ndryshojë një ministër, të largojë një drejtor apo të emërojë një drejtues të ri politik.

Por është shumë më e vështirë të shkëputet nga rrjeti i marrëdhënieve politike, ekonomike dhe administrative që është ndërtuar gjatë një periudhe kaq të gjatë qeverisjeje. Dhe këto rrjete nuk janë domosdoshmërisht vetëm njerëz me poste.

Janë interesa, kontrata, favore, lidhje politike, marrëdhënie biznesi dhe varësi institucionale. Sa më gjatë që një pushtet qëndron në këmbë, aq më shumë krijohen lidhje të tilla. Dhe nëse këto lidhje nuk preken, asnjë riorganizim nuk mund të prodhojë një ndryshim të vërtetë.

Kjo është arsyeja pse Rama nuk mund të jetë njëkohësisht arkitekti i sistemit dhe pretendenti kryesor për ta ndryshuar atë pa dhënë prova konkrete se është i gatshëm të shkëputet nga mekanizmat që e kanë mbajtur në këmbë.

E shtata, përqendrimi i pushtetit e bën më të vështirë vetëkorrigjimin. Nëse çdo drejtim politik, administrativ dhe elektoral kalon gjithnjë e më shumë përmes qendrës, dobësohet kritika e brendshme. Një pushtet që kontrollon gjithçka mund të duket më i fortë, por bëhet më pak i aftë të dëgjojë sinjalet që vijnë nga shoqëria.

Kjo është pikërisht ajo që shihet në përplasjen me protestat. Qeveria krijon sisteme për të “dëgjuar” qytetarin, ndërkohë që një pjesë e qytetarëve po i drejtohet asaj drejtpërdrejt në rrugë. Sa më shumë shtohen filtrat administrativë dhe politikë, aq më shumë rrezikohet që pushteti të dëgjojë vetëm atë që dëshiron të dëgjojë.

E teta, rikthimi i figurave të vjetra nuk është domosdoshmërisht rinovim. Nëse shtatori sjell rikthimin e emrave të njohur të PS-së për të forcuar strukturën, kjo mund të jetë një manovër politike e dobishme për Ramën, por jo domosdoshmërisht një ndryshim i modelit.

Një sistem nuk rinovohet duke ndërruar vetëm fytyrat në skemën e tij drejtuese. Nëse njerëzit e rinj vendosen mbi të njëjtat mekanizma dhe njerëzit e vjetër rikthehen për të kontrolluar të njëjtat struktura, atëherë kemi rotacion të brendshëm, jo reformim.

Në fund, Rama nuk mund të ndahet nga bilanci i tij politik. Ka pasur 13 vite për ta ndryshuar mënyrën e funksionimit të qeverisë. Ka pasur kohë të mjaftueshme për të ndërtuar institucione më transparente, për të kufizuar konfliktet e interesit, për të forcuar llogaridhënien dhe për të krijuar një administratë më pak të varur nga pushteti politik.

Prandaj, premtimi për një “Ramë të ri” nuk mund të gjykohet nga fjalët e shtatorit. Ai do të gjykohet nga ajo që do të ndodhë me paratë publike, tenderët, administratën, drejtësinë institucionale dhe përgjegjësinë e njerëzve që ushtrojnë pushtet.

Pogradeci mund të prodhojë një dokument të ri, një kabinet të ri dhe një organizim të ri të PS-së. Mund të prodhojë edhe një tjetër platformë dixhitale me një tjetër emër simbolik. Por nëse pas fasadës mbetet i njëjti mekanizëm, atëherë nuk kemi një fillim të ri. tesheshi

Related posts

Vendimi i Kushtetutës për Rashiq, reagon Basha: Përmban gabime thelbësore në interpretim dhe zbatim të normave përkatëse

Muhamet Ramadani

Publikohet video e momentit kur një dron kamikaz ukrainas goditi urën në Krime

admin

Libani raporton 2,496 të vrarë nga ofensiva izraelite

Kushtrim Guraj