RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Izraeli shton forcat në qendrën e trajnimit të UNRWA-së të sekuestruar në Kudsin e pushtuar

izraeli-shton-forcat-ne-qendren-e-trajnimit-te-unrwa-se-te-sekuestruar-ne-kudsin-e-pushtuar

Izraeli ka përforcuar të mërkurën forcat në Qendrën e Trajnimit Profesional Qalandia të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) në Kudsin Lindor të pushtuar, një ditë pasi mori nën kontroll objektin, sipas Guvernatoratit të Kudsit, transmeton Anadolu.

Guvernatorati tha në një deklaratë se forcat izraelite vazhduan marrjen nën kontroll dhe vendosjen brenda institutit, duke ndërruar ushtarët dhe përforcuar forcat e dislokuara aty gjatë natës dhe mëngjesin e së mërkurës.

Ai shtoi se Komuna e Kudsit dërgoi sot ekipe teknike në institut dhe nisi punimet e “mirëmbajtjes dhe rinovimit” në përgatitje për pritjen e nxënësve, në kuadër të planeve për krijimin e një kompleksi arsimor komunal në këtë hapësirë.

Zhvillimet erdhën një ditë pasi forcat izraelite evakuuan stafin nga objekti i UNRWA-së, morën nën kontroll kompleksin dhe ngritën flamurin izraelit në oborrin e tij.

Forcat izraelite u vendosën gjithashtu përreth kampit të refugjatëve Qalandia dhe Kafr Aqab, duke kryer bastisje, kontrolle dhe marrje në pyetje të palestinezëve në terren.

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, mori pjesë në operacionin e së martës dhe tha se “nuk ka vend për agjencinë në Kudsin dhe Izrael”.

UNRWA ka paralajmëruar prej muajsh për një plan izraelit që synon qendrën Qalandia. Agjencia tha se objekti ofron trajnim profesional për qindra studentë palestinezë dhe se zbatimi i planit të raportuar komunal do të kërkonte shembjen e pjesës më të madhe të qendrës ekzistuese.

Instituti, i themeluar në vitin 1952 si qendra e parë e UNRWA-së në Palestinë, u shërbente rreth 270 studentëve në 16 specialitete profesionale dhe nxirrte çdo vit nga 250 deri në 300 të diplomuar.

Marrja nën kontroll e qendrës është dënuar nga zyrtarë palestinezë dhe ndërkombëtarë. UNRWA tha se forcat izraelite hynë me forcë në objekt të martën, ndërsa agjencia e OKB-së e konsideron qendrën pjesë të Kudsi Lindor të pushtuar dhe të mbrojtur nga privilegjet dhe imunitetet e OKB-së.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor në vitin 1967 dhe më vonë e aneksoi atë, në një veprim që nuk njihet nga shumica e komunitetit ndërkombëtar.

Related posts

Ushtria izraelite vret 6 palestinezë në një sulm me dron në Jenin

admin

Oportunizmi i përshtirë “fetar” i Edi Ramës

Irfan Jahiu

Presidenti Erdoğan pret në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama

admin