Ushtria izraelite ka përforcuar trupat e saj në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke e rritur numrin e batalioneve ushtarake të dislokuara atje në 26, njoftuan mediat izraelite të enjten, transmeton Anadolu.
Kanali izraelit Channel 12 nuk dha detaje të mëtejshme mbi shkallën ose arsyet e përforcimit.
Në anën tjetër, Komisioni Palestinez për Rezistencën ndaj Kolonizimit dhe Murit tha se autoritetet izraelite kanë konfiskuar rreth 15 dynym tokë që i përkiste qytetit Al-Bireh në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Komisioni tha se konfiskimi synon të krijojë një “rrugë sigurie” gati 4.000 metra të gjatë që rrethon një vendbanim të paligjshëm të ndërtuar në tokën Jabal al-Taweel në lindje të qytetit.
Rruga në mënyrë efektive krijon një “zonë të re tampon” rreth vendbanimit dhe “kufizon aksesin palestinez në tokat” midis zonës së ndërtuar të vendbanimit dhe rrugës, tha komisioni.
Sipas vlerësimeve paraprake të hartave, urdhri ushtarak jo vetëm që konfiskon drejtpërdrejt tokën, por gjithashtu kufizon aksesin palestinez në më shumë se 380 dynym (38 hektarë) të vendosura midis ndërtesave ekzistuese të vendbanimeve dhe rrugës së përshkruar në urdhër.
Komisioni tha se masa është pjesë e një politike në zgjerim të miratuar nga autoritetet izraelite që nga 7 tetori 2023, duke shtuar se 46 urdhra ushtarakë janë lëshuar për të krijuar zona tampon rreth vendbanimeve gjatë asaj periudhe.
Ai tha se urdhrat tregojnë se zonat tampon të vendbanimeve po përdoren gjithnjë e më shumë jo si “masa sigurie” të jashtëzakonshme, por si një mekanizëm rutinë për shtrirjen e kontrollit të vendbanimeve mbi tokën palestineze pa kërkuar plane të menjëhershme ndërtimi ose ndryshime formale në pronësinë e tokës.

