Diplomati mauritanian dhe ish-ministri i Jashtëm, Ismail Ould Cheikh Ahmed, u zgjodh të enjten Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI), transmeton Anadolu.
Zgjedhjet u zhvilluan në një takim të jashtëzakonshëm të ministrave të Jashtëm të OBI-së në qytetin saudit Xhide, ku u diskutua gjithashtu çështja e shtetësisë së Palestinës dhe zhvillimet e fundit lidhur me Kudsin.
Ould Cheikh Ahmed, 66 vjeç, pason çadianin Hussein Ibrahim Taha, i cili ka shërbyer si sekretar i përgjithshëm i OBI-së që nga fundi i vitit 2021 dhe mandati i të cilit do të përfundojë zyrtarisht në nëntor.
Ould Cheikh Ahmed shërbeu si ministër i Jashtëm i Mauritanisë nga viti 2018 deri në vitin 2022, si dhe si i dërguar i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Jemenin nga viti 2015 deri në vitin 2018.
Ai gjithashtu ka shërbyer më parë si zëvendëspërfaqësues i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, si dhe koordinator rezident dhe koordinator humanitar për Misionin Mbështetës të OKB-së në Libi në vitin 2014.
Nga viti 2012 deri në vitin 2014, ai shërbeu si koordinator humanitar i OKB-së dhe përfaqësues i Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë në Jemen, ndërsa më vonë mbajti të njëjtat poste në Siri nga viti 2008 deri në vitin 2012.
Përveç arabishtes, Ould Cheikh Ahmed flet frëngjisht dhe anglisht.
OBI-ja është organizata e dytë më e madhe ndërqeveritare në botë pas OKB-së dhe ka gjithsej 57 shtete anëtare.
Ajo përqendrohet kryesisht në çështjet që prekin botën myslimane, përfshirë çështjen kombëtare palestineze dhe Kudsin.

