Një “po” ndryshojë dinamikën e zgjerimit të BE-së
Qytetarët e Islandës votojnë sot nëse vendi duhet të rifillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Rezultati pritet të jetë i ngushtë, ndërsa votimi nuk vendos për anëtarësimin përfundimtar, por vetëm për rikthimin në tryezën e negociatave.
Islanda është një rast i veçantë. Vendi është tashmë pjesë e Tregut të Përbashkët Europian dhe e zonës Schengen, ndaj në shumë aspekte është më pranë BE-së sesa vendet e tjera kandidate.
Nëse qytetarët votojnë pro, negociatat do të rifillojnë aty ku u ndërprenë dhe, sipas Komisionit Europian, procesi mund të përfundojë relativisht shpejt.
Debati më i fortë brenda Islandës lidhet me peshkimin. Industria punëson rreth katër mijë njerëz, përbën afërsisht 40 për qind të eksporteve dhe rreth tetë për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Kundërshtarët e anëtarësimit druhen se Islanda do të humbiste kontrollin mbi ujërat e saj dhe se peshkarexhat e vendeve të tjera evropiane do të fitonin të drejtën për të peshkuar atje.
Pikërisht ky është një nga kushtet mbi të cilat edhe forcat politike proeuropiane islandeze kërkojnë garanci. Qeveria ka bërë të qartë se rikthimi në negociata nuk do të thotë pranimi automatik i çdo kushti të BE-së.
Por pas debatit ekonomik qëndron edhe një shqetësim tjetër. Lufta në Ukrainë dhe tensionet në Arktik, veçanërisht kërcënimet e Donald Trump për Groenlandën, kanë rritur ndjesinë e pasigurisë në Islandë.
Vendi është anëtar i NATO-s, por nuk ka ushtri të vetën dhe mbështetet në marrëveshjet e sigurisë me Shtetet e Bashkuara. Për një pjesë të islandezëve, afrimi me BE-në shihet tashmë edhe si çështje sigurie dhe stabiliteti.
Nëse fiton “po”-ja, ndikimi nuk do të mbetet vetëm në veri të Europës. Islanda do të rikthehej në procesin e zgjerimit në një moment kur Mali i Zi dhe Shqipëria konsiderohen ndër vendet më të avancuara kandidate.
Mali i Zi ka mbyllur 18 nga 33 kapitujt negociues, ndërsa Shqipëria vijon përpara me ritëm të lartë. Një Islandë e rikthyer në proces mund të rivalizojë drejtpërdrejt Malin e Zi, pasi nis nga një pozicion shumë më i avancuar ekonomik dhe institucional.
Ndërkohë, Shqipëria do të vijonte procesin e saj, por jashtë kësaj gare të drejtpërdrejtë. Megjithatë, Tirana nuk e sheh një zhvillim të tillë si kërcënim.
Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha e konsideron referendumin një dëshmi se projekti europian mbetet tërheqës dhe strategjik, ndërsa një rezultat pozitiv mund të krijojë momentum të ri politik për zgjerimin.
Dallimi ekonomik është gjithashtu i rëndësishëm. Nëse anëtarësohet, Islanda pritet të jetë një nga vendet më të pasura të BE-së dhe kontribuuese neto në buxhetin europian. Në të kundërt, Shqipëria dhe Mali i Zi, do të ishin përfitues neto të fondeve europiane.
Kështu, një referendum në një ishull me vetëm rreth 400 mijë banorë mund të ketë pasoja më të gjera se sa duket. Një “po” islandeze do të ishte jo vetëm rikthim i një kandidati të vjetër, por edhe një sinjal se zgjerimi i BE-së po hyn në një fazë të re, ku Shqipëria duhet të përshpejtojë përpjekjet për të mos humbur avantazhin që ka krijuar. tesheshi

