Palestina ka bërë thirrje për veprim urgjent ndërkombëtar ndaj përshkallëzimit të sulmeve izraelite dhe dhunës së kolonëve në qytetin Al-Mughayyir, në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Në një deklaratë të publikuar të shtunën, Ministria e Jashtme palestineze tha se Izraeli ka vendosur një “rrethim mbytës” ndaj qytetit, në verilindje të Ramallahut, prej 20 ditësh, duke mbyllur hyrjet e tij.
Sipas ministrisë, banorëve u lejohet të lëvizin vetëm për dy orë në ditë, ndërsa ambulancave u ndalohet hyrja në qytet. Ministria e përshkroi situatën si “shënjestrim të pa dallim” të qytetarëve.
Autoritetet palestineze paralajmëruan se këto masa synojnë izolimin ushtarak dhe ekonomik të Al-Mughayyirit dhe zhvendosjen e banorëve të tij.
Ministria tha se sulmet në rritje nga forcat izraelite dhe kolonët izraelitë janë pjesë e një politike që synon të krijojë një realitet të “vrasjeve, terrorit dhe zhvendosjes së detyruar”, si dhe të ndryshojë realitetin në terren.
Palestina i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kalojë përtej “dënimeve vetëm me fjalë” dhe të ndërmarrë masa politike, ligjore dhe ekonomike për të ndalur dhunën, si dhe të sigurojë mbrojtje ndërkombëtare për popullin palestinez.
Gjithashtu, ministria kërkoi aktivizimin e mekanizmave të drejtësisë ndërkombëtare për ndjekjen penale të autorëve të shkeljeve, ndalimin e produkteve nga vendbanimet ilegale në tregjet ndërkombëtare dhe mbajtjen përgjegjëse të subjekteve që u ofrojnë armë, financim apo mbështetje forcave pushtuese.
Bregu Perëndimor i pushtuar ka përjetuar një përshkallëzim të bastisjeve ushtarake izraelite dhe sulmeve të kolonëve ndaj palestinezëve që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023.
Të premten, tre palestinezë u plagosën në një sulm të kolonëve izraelitë në Al-Mughayyir, ndërsa forcat izraelite dhe kolonët ndaluan një ambulancë që po shkonte për të transportuar të plagosurit. /mesazhi

