Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur shpresën se marrëveshja ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës do të arrihet sa më shpejt.
Pas takimit të mbrëmshëm ndërmjet kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Haxhiu tha se përmbyllja e marrëveshjes është e rëndësishme për ecjen përpara të vendit.
“Unë uroj që marrëveshja të përmbyllet sa më parë, për shkak se është shumë e rëndësishme që të ecim përpara”, tha Haxhiu.
Ajo theksoi se Kosova ka përpara një sërë përgjegjësish dhe reformash që duhet të vazhdohen, ndërsa veçoi edhe obligimet në proceset integruese.
“Le të shpresojmë që kjo javë që po vjen të jetë vendimtare për këtë proces të rëndësishëm”, deklaroi Haxhiu.Sipas saj, arritja e një marrëveshjeje do të ishte e rëndësishme për vazhdimin e rrugës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe NATO, si dhe në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë.

