RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Nesër në Stamboll takimi i parë i komitetit në kuadër të Paktit të Mbrojtjes së Përbashkët të Mekës

neser-ne-stamboll-takimi-i-pare-i-komitetit-ne-kuader-te-paktit-te-mbrojtjes-se-perbashket-te-mekes

Takimi i parë i Komitetit Strategjik Politik dhe të Mbrojtjes, i themeluar në kuadër të Paktit të Mbrojtjes së Përbashkët të Mekës, do të mbahet të hënën në Stamboll, transmeton Anadolu.

Sipas burimeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, në takim pritet të marrin pjesë ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, ministri i Mbrojtjes Kombëtare Yasar Guler dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Selçuk Bayraktaroglu.

Pritet që Pakistani të përfaqësohet nga ministri i Jashtëm Mohammad Ishaq Dar, ministri federal i Mbrojtjes Khawaja Muhammad Asif dhe shefi i Shtabit të Ushtrisë, marshalli Asim Munir, ndërsa nga Arabia Saudite pritet të marrin pjesë ministri i Jashtëm Faisal bin Farhan, ministri i Mbrojtjes Khalid bin Salman dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Fayyadh bin Hamed Al-Ruwaili.

Komiteti, i përbërë nga ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes dhe shefat e shtabeve të përgjithshme të Turqisë, Pakistanit dhe Arabisë Saudite, është parashikuar të ofrojë drejtim strategjik për aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të Paktit të Mbrojtjes së Përbashkët të Mekës.

Në takim pritet të diskutohen çështjet ndërkombëtare të sigurisë, si dhe përpjekjet për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe rritjen e ndërveprueshmërisë mes forcave të armatosura të tri vendeve.

Pjesëmarrësit pritet të diskutojnë gjithashtu thellimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, përfshirë prodhimin e përbashkët dhe kërkimin dhe zhvillimin, si dhe forcimin e përpjekjeve të përbashkëta kundër terrorizmit.

Gjithashtu, pritet të përcaktohet korniza për një sekretariat dhe mekanizma të tjerë përkatës që do të udhëheqin punën në fushat e veprimtarisë së përbashkët të përcaktuara nga Komiteti Strategjik Politik dhe i Mbrojtjes, si dhe të hartohet një udhërrëfyes për hapat që do të ndërmerren në periudhën e ardhshme.

Takimi pritet të ofrojë mundësi për të ritheksuar se Pakti i Mbrojtjes së Përbashkët i Mekës ofron mundësi të rëndësishme për të gjitha vendet që synojnë forcimin e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në rajon, trajtimin e çështjeve përmes një kuadri të sigurisë bashkëpunuese dhe vendosjen e paqes dhe prosperitetit mbi konfliktin.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, Princi i Kurorës i Arabisë Saudite Mohammed bin Salman dhe kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif nënshkruan Paktin e Mbrojtjes së Përbashkët më 7 gusht në Mekë.

Paktti, i nënshkruar nga Turqia, Pakistani dhe Arabia Saudite mbi bazën e një ndjenje të përbashkët përgjegjësie dhe kujdesi rajonal, në një kohë kur paqëndrueshmëria po rritet në rajonet e tyre dhe në nivel ndërkombëtar, synon të promovojë sigurinë, paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në nivel rajonal dhe global, si dhe të forcojë parandalimin e përbashkët.

Paktti përcakton se sulmi ndaj cilësdo palë do të konsiderohet si sulm ndaj të gjitha palëve.

Me synimin për të nxitur një kulturë të re bashkëpunimi në rajon, pakti lejon pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve që respektojnë të drejtën ndërkombëtare dhe ndajnë një vizion për bashkëpunim paqësor.

Related posts

Trump kërkon 1.5 trilionë dollarë buxhet për mbrojtjen e SHBA

admin

Sot protestojnë punëtorët e KEK-ut, kërkesat janë të qarta

RTI

Kryeministri i ri i Irakut merr zyrtarisht detyrën

Hevzi