Gjermania ka kritikuar ashpër një video të gjeneruar me inteligjencë artificiale, të publikuar nga ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ku të burgosurit palestinezë paraqiten duke u dërguar me një shirit transportues drejt një burgu, ndërsa kritikët i krahasuan pamjet me kampet e përqendrimit, transmeton Anadolu.
“E kam parë këtë video. Me sa di, tashmë është fshirë, por kjo nuk e bën aspak më pak të tmerrshme. Sigurisht, kjo është krejtësisht e papranueshme. Është e tmerrshme”, u tha mediave në Berlin, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Martin Giese.
Giese tha se Gjermania i “kundërshton fuqishëm” politikat e ministrit izraelit Ben-Gvir dhe mënyrën se si ai shprehet. “Qëndrimi ynë për këtë çështje është absolutisht i qartë”, shtoi ai.
Ben-Gvir së fundmi fshiu nga llogaritë e tij në rrjetet sociale dy video që shkaktuan kritika për mënyrën se si paraqisnin trajtimin e të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.
Njëra prej videove, e publikuar të dielën, shkaktoi zemërim në rrjetet sociale, ndërsa kritikët thanë se pamjet e saj të kujtonin kampet e përqendrimit. Në video paraqiteshin të burgosur palestinezë mbipeshë në një sallë gjyqi izraelite, me flluska mendimesh mbi kokat e tyre që sugjeronin se po mendonin për arsimimin, ushqimin ose nargjilen.
Teksa ata ecnin drejt një burgu, Ben-Gvir paraqitej duke i plasur flluskat dhe duke shtypur një buton të kuq që vinte në lëvizje një shirit transportues, i cili i çonte të burgosurit përmes një dere.
Në anën tjetër, të burgosurit paraqiteshin të dobësuar tej mase dhe duke qarë, me kokat e ulura.

