Prania e klerikut, rikthen debatin mbi kufijtë mes besimit, identitetit dhe interesave politike
Mitropoliti i Korçës, Anastasi, ka nisur vitin e ri shkollor me bekimin e nxënësve në dy institucione private të qytetit, “Omiros” dhe “Platon”. Në ceremoni ishte edhe Konsulli i Përgjithshëm i Greqisë në Korçë.
Një prani që e bën skenën më shumë se një ritual fetar. Sepse bëhet fjalë për Korçën. Një qytet me një histori të ndërlikuar shqiptaro-greke. Një qytet ku çështjet e gjuhës, identitetit dhe arsimit kanë qenë prej dekadash pjesë e një përplasjeje më të gjerë.
Këtu qëndron edhe problemi. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë nuk mund të shkëputet nga historia e saj pas vitit 1991. Pas rënies së komunizmit, Kisha u ringrit me ndihmën e faktorëve të jashtëm.
Në krye të saj u vendos Anastas Janullatos. Ai ishte grek. Ishte i formuar në Greqi. Dhe kishte lidhje të forta me institucionet fetare e akademike të Athinës. Për shumë shqiptarë, ky ishte një paradoks i madh.
Një Kishë që mbante emrin “Autoqefale” drejtohej nga një kryepeshkop i ardhur nga jashtë. Debati nuk ishte thjesht fetar. Ai preku sovranitetin, identitetin dhe vetë kuptimin e autoqefalisë shqiptare.
Janullatos nuk ishte vetëm figurë e jetës fetare. Ai u shndërrua në një aktor me peshë të madhe publike. Për vite me radhë, Kisha u përfshi në debate që preknin edhe historinë, identitetin kombëtar dhe marrëdhëniet shqiptaro-greke.
Kjo është arsyeja pse trashëgimia e tij nuk mund të trajtohet vetëm si histori e restaurimit të kishave dhe ngritjes së institucioneve arsimore. Pastaj ka edhe një histori tjetër, ajo e ndikimit.
Greqia ka pasur interesa të qarta në Shqipëri, sidomos në jug. Arsimi ka qenë një prej instrumenteve më të fuqishme të këtij ndikimi. Gjuha, kultura, institucionet dhe feja krijojnë lidhje që shkojnë shumë më larg se një marrëdhënie diplomatike.
Dhe pikërisht këtu bëhet interesant episodi i fundit në Korçë. Mitropoliti Anastasi shfaqet në dy shkolla me profil grek. Në njërën prej tyre, “Omiros”, gjuha dhe kultura greke janë pjesë e identitetit të institucionit. Në tjetrën, “Platon”, kemi një institucion të lidhur me strukturat arsimore të Kishës dhe fondacionin e krijuar nga Janullatos.
Pra ndryshon emri por mbetet roli simbolik. Janullatos u largua nga kjo botë. Struktura që ai ndërtoi vazhdon. Dhe bashkë me të vijon edhe debati mbi ndikimin grek në hapësirën shqiptare.
Nuk është çështje e të qenit kundër Greqisë. As kundër ortodoksisë. Shqipëria është vend me traditë edhe ortodokse dhe marrëdhëniet me Greqinë janë pjesë e realitetit shqiptar.
Por një shtet serioz duhet të bëjë një pyetje të thjeshtë: ku përfundon besimi dhe ku fillon ndikimi politik e identitar?
Kjo pyetje bëhet edhe më e rëndësishme kur në aktivitetet arsimore shfaqen njëkohësisht kleri dhe përfaqësues diplomatikë të një shteti të huaj.
Sepse shkolla nuk është vetëm ndërtesë. Është vendi ku formohet brezi i ardhshëm. Dhe kush ndikon mbi arsimin, ndikon edhe mbi mënyrën se si një brez e sheh gjuhën, historinë, identitetin dhe vendin e vet.
Prandaj fotografia e Korçës nuk duhet parë si një ceremoni e zakonshme. Ajo është një kujtesë se trashëgimia e Janullatosit nuk është mbyllur me largimin e tij.
Ajo vazhdon të shfaqet në institucione, në struktura dhe në mënyrën se si ndërthuren feja, arsimi dhe kultura. Dhe pyetja mbetet e hapur: a është vërtet mbyllur kapitulli i ndikimit të Athinës mbi jetën ortodokse shqiptare, apo thjesht ka ndryshuar fytyrë? tesheshi

