Lideri i opozitës izraelite Gadi Eisenkot kryeson ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu me 9 pikë përqindjeje në një sondazh të ri mbi atë se kush është më i përshtatshëm për të shërbyer si kryeministër ndërsa blloku qeverisës i Netanyahut kryeson ngushtë ndaj opozitës sa i përket numrit të parashikuar të mandateve në Parlamentin izraelit (Knesset), transmeton Anadolu.
Sondazhi i Kanalit 13, i realizuar të martën në bashkëpunim me Index, Stat-Net, Sample dhe Askaria, përfshiu 886 të anketuar dhe kishte një marzh gabimi prej 3,3 për qind. Sipas rezultateve, 45 për qind e të anketuarve thanë se Eisenkot, lideri i partisë opozitare Yashar, është më i përshtatshëm për të shërbyer si kryeministër, krahasuar me 36 për qind për Netanyahun, liderin e partisë Likud.
Izraeli pritet të mbajë zgjedhjet e përgjithshme më 27 tetor ndërsa Netanyahu synon të formojë një qeveri të re për të zëvendësuar koalicionin e tij aktual, i cili është në pushtet që nga fundi i vitit 2022. Sondazhi tregoi një ndryshim në shpërndarjen e parashikuar të mandateve në Knesset në favor të bllokut të Netanyahut, pasi sondazhet e fundit përgjithësisht kanë nxjerrë përpara opozitën.
Nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, blloku i Netanyahut do të fitonte 54 mandate, krahasuar me 52 mandate për partitë opozitare hebraike dhe 14 për partitë arabe, sipas sondazhit. Likud do të merrte 18 mandate ndërsa aleanca mes partive Sionizmi Fetar dhe Zehut, të udhëhequra nga Bezalel Smotrich dhe Moshe Feiglin, do të siguronte tetë mandate.
Partia “Otzma Yehudit” e Itamar Ben-Gvirit do të merrte gjithashtu tetë mandate ndërsa Shas dhe Judaizmi i Bashkuar i Torës do të fitonin nga shtatë mandate secila. Partia Amcha Yisrael do të merrte gjashtë mandate. Në kampin opozitar, Yashar do të fitonte 22 mandate, partia “Bashkë” e Naftali Bennettit 12, Demokratët e Yair Golanit dhjetë dhe Yisrael Beiteinu e Avigdor Liebermanit tetë mandate.
Ndër partitë arabe, Lista e Përbashkët do të merrte tetë mandate ndërsa “Ra’am” e Mansour Abbasit gjashtë.
Për formimin e qeverisë nevojitet mbështetja e të paktën 61 deputetëve. Sondazhi tregon se as blloku i Netanyahut dhe as opozita hebraike nuk do ta arrinin këtë prag pa mbështetjen e partive arabe, ndonëse liderët e opozitës kanë kundërshtuar mbështetjen te partitë arabe për formimin e qeverisë.
Gjithsej 38 lista janë regjistruar për të garuar në zgjedhjet për Knessetin ndërsa sondazhi parashikon se 13 prej tyre do të fitojnë mandate.
Netanyahu është në gjyq për akuza për korrupsion, të cilat mund të çojnë në dënim me burgim nëse shpallet fajtor. Ai është gjithashtu subjekt i një urdhërarresti të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në lidhje me fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza.

