Operacioni ““Familja ime është e sigurt” u shtri në 15 rajone
Turqia ka ndërmarrë një operacion të gjerë kundër organizatave dhe aktivistëve LGBT, të pagëzuar nga autoritetet “Ailem Güvende” – “Familja ime është e sigurt”.
Aksioni, i shtrirë në 15 provinca, u paraqit nga Ministria e Drejtësisë si pjesë e një përpjekjeje për të mbrojtur fëmijët, familjen dhe rendin shoqëror nga përmbajtje dhe ide që qeveria i konsideron të papërshtatshme dhe të dëmshme për shoqërinë turke.
Sipas autoriteteve turke, procedimet përfshijnë 162 persona, nëntë shoqata dhe 13 biznese. Hetimet lidhen me aktivitete që sipas prokurorisë, përfshijnë promovimin e përmbajtjeve të papërshtatshme, ekspozimin e të miturve ndaj materialeve të tilla dhe veprimtari që autoritetet i konsiderojnë në kundërshtim me mbrojtjen e familjes.
Por objektivi i operacionit është më i gjerë se një aksion kriminal. Në shënjestër janë vendosur edhe organizata dhe aktivistë LGBT, duke e bërë të qartë se Ankaraja e sheh përhapjen e këtyre ideve si pjesë të një përplasjeje më të gjerë kulturore mbi familjen, edukimin e fëmijëve dhe vlerat shoqërore.
Qeveria turke e ka lidhur këtë politikë me “Dekadën e Familjes dhe Popullsisë”, një strategji dhjetëvjeçare e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, e cila synon forcimin e familjes dhe përballimin e rënies së lindshmërisë.
Në këtë vizion, familja tradicionale trajtohet si një nga shtyllat kryesore të shoqërisë dhe si një institucion që shteti duhet ta mbrojë. Ankaraja argumenton se fëmijët nuk duhet të ekspozohen ndaj ideologjive apo modeleve sociale që, sipas saj, bien ndesh me kulturën dhe traditat turke.
Pikërisht ky është edhe thelbi i operacionit: vendosja e një kufiri më të qartë midis mbrojtjes së fëmijëve dhe promovimit të modeleve që qeveria i konsideron të huaja për shoqërinë turke.
Ky qëndrim e vendos Turqinë në një drejtim krejt tjetër nga ai që është ndjekur në Shqipëri vitet e fundit. Në vend që familja tradicionale të trajtohet si pikënisja e politikave sociale dhe arsimore, institucionet shqiptare kanë zgjeruar gjithnjë e më shumë hapësirën për konceptet e orientimit seksual dhe identitetit gjinor në politikat publike dhe në edukimin e të rinjve.
Kjo ka ushqyer shqetësimin se prindërit shqiptarë po humbasin gradualisht kontrollin mbi mënyrën se si trajtohen çështjet e familjes, seksualitetit dhe identitetit në edukimin e fëmijëve.
Debati shqiptar nuk është më thjesht një debat mbi të drejtat individuale. Është një debat mbi atë se kush duhet të përcaktojë vlerat që u transmetohen fëmijëve: familja, shkolla apo institucionet dhe organizatat që hartojnë politikat publike.
Ndërsa Turqia po e vendos hapur familjen tradicionale në qendër të politikës së saj sociale dhe po ndërmerr masa kundër asaj që e konsideron ndikim të huaj mbi fëmijët dhe shoqërinë, Shqipëria ka zgjedhur rrugën e kundërt, duke u bërë e axhendave të errëta. /tesheshi

