Marrëdhënia është e ngushtë, por grupi ka një autonomi të konsiderueshme
Kjo pyetje është rikthyer në qendër të debatit, ndërsa luftimet në Jemen po përshkallëzohen dhe lëvizja huthite po përpiqet të zgjerojë kontrollin e saj territorial.
Në pamje të parë, lidhjet mes Teheranit dhe Huthëve janë më se dukshme. Por tabloja që del nga zhvillimet e fundit është më komplekse sesa një marrëdhënie e thjeshtë urdhër–bindje.
Një nga treguesit më të drejtpërdrejtë të afërsisë mes palëve është rikthimi në korrik i fluturimeve direkte të kompanisë iraniane Mahan Air nga Teherani drejt Sanas, kryeqytetit që kontrollohet nga Huthit.
Sipas Yasmeen Al-Eryan, drejtoreshë ekzekutive në Sanaa Center, tensionet me Arabinë Saudite u përshkallëzuan pasi një fluturim i mëvonshëm i Mahan Air u pengua të ulej në Sana.
Pas kësaj, Huthët u kundërpërgjigjën, duke rritur frikën për një përballje më të gjerë. Kjo nuk provon në vetvete se Teherani kontrollon vendimet e Huthive, por tregon se marrëdhënia mes tyre ka një dimension praktik dhe strategjik.
Irani mbetet një mbështetës i rëndësishëm i boshtit rajonal ku bëjnë pjesë edhe aktorë të tjerë të armatosur, ndërsa Huthët kanë ndërtuar një kapacitet të rëndësishëm ushtarak dhe politik brenda Jemenit.
Një element tjetër i rëndësishëm është vetë sjellja e Huthëve në terren. Al-Eryan vlerëson se, gjatë muajve të fundit, ata kanë diktuar ritmin dhe shkallën e përshkallëzimit në përballjen me Arabinë Saudite dhe qeverinë jemenase të mbështetur nga Riad.
Sipas saj, ata po vendosin vetë “afatet dhe nivelet e përshkallëzimit”, çka sugjeron se nuk veprojnë thjesht si një forcë që pret udhëzime nga Teherani.
Kjo është ndoshta pika më e rëndësishme për të kuptuar marrëdhënien Iran–Huthi. Ndikimi nuk duhet ngatërruar automatikisht me kontrollin. Një grup mund të përfitojë nga mbështetja, lidhjet dhe interesat strategjike të një fuqie rajonale, ndërkohë që ruan objektivat dhe kalkulimet e veta lokale.
Në Jemen, këto objektiva janë të lidhura drejtpërdrejt me luftën për territor dhe pushtet. Huthë vazhdojnë përpjekjet për të përparuar drejt Maribit, një zonë që e konsiderojnë një bastion të rëndësishëm të qeverisë.
Sipas Abdulkader Onin, profesor në Universitetin e Rajonit Saba në Marib, përpjekjet e Huthëve për të marrë qytetin kanë vazhduar prej vitesh dhe nuk u ndalën as pas armëpushimit të vitit 2022.
Edhe në jug, luftimet tregojnë se Huthit kanë interesa të drejtpërdrejta territoriale. Kontrolli i plotë i lartësive të Kahbubit do t’u jepte një avantazh të rëndësishëm mbi zonat që lidhen me ngushticën Bab Al-Mandeb.
Por aktualisht kontrolli i kësaj hapësire mbetet i paplotë. Terreni malor është një nga faktorët që u jep Huthive avantazh ushtarak dhe e bën të vështirë një mposhtje të tyre.
Sipas Al-Eryanit, kontrolli i lartësive u lejon atyre të tërhiqen nga zonat bregdetare drejt maleve dhe të rikthehen më vonë. Për këtë arsye, ajo e konsideron frenimin e grupit një objektiv më realist sesa mposhtjen e tij ushtarake.
Në këtë pikë, roli i Iranit duhet parë në një kontekst më të gjerë. Teherani e paraqet politikën e tij si kundërshtim ndaj ndërhyrjes së fuqive të huaja në Lindjen e Mesme.
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi, ka deklaruar se siguria e rajonit nuk mund të diktohet nga jashtë dhe ka kërkuar dialog, bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë mes vendeve të rajonit.
Megjithatë, deklaratat diplomatike nuk japin një përgjigje përfundimtare mbi shkallën e kontrollit iranian ndaj Huthëve.
Ajo që mund të thuhet nga zhvillimet e dokumentuara, është se ekziston një marrëdhënie e ngushtë strategjike, ndërsa Huthët kanë ruajtur aftësinë për të marrë nisma dhe për të përcaktuar ritmin e konfliktit sipas interesave të tyre.
Prandaj, pyetja “a i kontrollon Irani Huthët?” mund të jetë tepër e thjeshtë për realitetin në terren. Më e saktë është të pyetet se deri ku shtrihet ndikimi i Teheranit dhe ku fillon autonomia e Huthëve.
Deri tani, faktett tregojnë një kombinim të të dyjave: Iranit i intereson të ketë një aleat të fuqishëm në një pikë strategjike të Lindjes së Mesme, ndërsa Huthët kanë ndërtuar një forcë që ka axhendën, territorin dhe llogaritjet e veta.
Pikërisht kjo e bën marrëdhënien mes tyre më të ndërlikuar se sa një skemë e thjeshtë komandimi nga Teherani. tesheshi

