Doha ka angazhuar një rrjet lobistësh, këshilltarësh dhe figurash pranë Netanyahut
Për vite me radhë, Katari ka mbajtur një marrëdhënie të pazakontë me Gazën, duke strehuar drejtues të Hamasit dhe duke financuar ndihma për enklavën palestineze.
Fondet, të miratuara nga qeveritë izraelite, synonin të mbështesnin popullsinë civile dhe të ruanin një kanal komunikimi me Gazën. Megjithatë, pas 7 tetorit 2023, lidhja e Dohas me Hamasin u kthye në një prej pikave më të debatueshme në Izrael.
Në këtë klimë, sipas një investigimi të The New Yorker, Katari nisi një përpjekje për të ndryshuar mënyrën se si perceptohej në Izrael, duke e paraqitur veten jo si mbështetës të Hamasit, por si një ndërmjetës të domosdoshëm për negociatat dhe lirimin e pengjeve.
Në qendër të kësaj skeme del Yisrael Einhorn, konsulent politik që ka punuar për disa fushata të Likud-it dhe themelues i kompanisë Perception.
Sipas investigimit, kompania kishte lidhje kontraktuale me Katarin që nga periudha e Kupës së Botës 2022, me pagesa prej rreth 45 mijë dollarësh në muaj. Pas sulmit të 7 tetorit, bashkëpunimi dyshohet se mori një tjetër dimension: përmirësimin strategjik të imazhit të emiratit në Izrael.
Një tjetër emër i rëndësishëm është lobisti amerikan Jay Footlik, ish-këshilltar për Lindjen e Mesme i John Kerry-t. Sipas investigimit, kompania e tij, Third Circle, kishte marrë rreth gjysmë milioni dollarë në vit nga Katari.
Në këtë rrjet përmenden edhe Jonatan Urich, këshilltar i afërt i Benjamin Netanyahu-t, dhe Eli Feldstein, i cili dyshohet se ndihmoi në përcjelljen në media të mesazhit se Katari ishte ndërmjetësi më i besueshëm për negociatat me Hamasin.
Strategjia kishte edhe një objektiv tjetër: dobësimin e rolit të Egjiptit në negociata. Në vend që Katari të paraqitej thjesht si një vend që kishte kontakte me Hamasin, mesazhi synonte ta shndërronte atë në një aktor të domosdoshëm për zgjidhjen e krizës.
Në këtë mënyrë, lidhjet e mëparshme me Hamasin interpretoheshin si një avantazh diplomatik, jo si një problem. Hetimi ngre gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën se si këto mesazhe arritën në mediat izraelite.
The New Yorker përmend raste ku gazetarë dhe figura publike dyshohet se u përfshinë në transmetimin e narrativave pro-Katarit.
Një nga rastet e përmendura lidhet me gazetarin e Haaretz, Alon Pinkas, për të cilin investigimi ngre pretendime mbi pagesa nga persona të lidhur me rrjetin e lobimit të Katarit dhe publikimin e disa shkrimeve që favorizonin rolin e Dohas.
Kjo histori lidhet me atë që në Izrael është njohur si Qatargate, hetimi që ka prekur edhe rrethin e ngushtë të kryeministrit Netanyahu. Çështja ka ngritur pyetje mbi kufirin mes këshillimit politik, interesave të huaja dhe funksionimit të aparatit shtetëror.
Paralelisht, raportime të tjera kanë pretenduar se informacione të ndjeshme mbi Egjiptin, mund të jenë përcjellë përmes këshilltarëve të Netanyahu-t drejt Katarit, pretendime që të akuzuarit i kanë mohuar.
Katari i ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat e The New Yorker, duke i cilësuar dokumentet dhe pretendimet si të falsifikuara dhe pjesë të një fushate dezinformimi.
Qeveria katariote këmbëngul se ndihmat për Gazën ishin të destinuara për civilët dhe kalonin përmes mekanizmave të koordinuar me Izraelin dhe partnerët ndërkombëtarë.
Megjithatë, vetë ekzistenca e një marrëdhënieje kaq të ndërlikuar tregon paradoksin e Katarit në politikën izraelite. Për një pjesë të opinionit ai mbetet vendi që ka mbajtur lidhje të drejtpërdrejta me Hamasin, ndërsa në të njëjtën kohë është përdorur si ndërmjetës pikërisht sepse ka kanale komunikimi që Izraeli nuk i ka.
Kjo e ka bërë Dohën njëkohësisht objekt kritikash dhe një aktor të vështirë për t’u anashkaluar në diplomacinë e Lindjes së Mesme. /tesheshi

