RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Sondazh: 3 në 4 punonjës të BE-së përballen me kërcënime kibernetike në punë

sondazh:-3-ne-4-punonjes-te-be-se-perballen-me-kercenime-kibernetike-ne-pune

Sipas një sondazhi të Eurobarometrit të publikuar nga Komisioni Evropian, tre në katër punonjës në Bashkimin Evropian (BE) janë përballur me email-e, mesazhe ose lidhje të dyshimta në vendin e punës, transmeton Anadolu.

“Phishingu” ishte kërcënimi kibernetik më i raportuar në vendin e punës, me 39 për qind të punonjësve që thanë se kishin hasur mesazhe ose faqe interneti mashtruese të synuara për vjedhjen e të dhënave ose marrjen e qasjes së paautorizuar.

“Phishingu” është një lloj sulmi kibernetik në të cilin kriminelët paraqiten si persona ose organizata të besueshme për të mashtruar dikë që të zbulojë informacione të ndjeshme ose të klikojë në një lidhje keqdashëse.

Rreth 18 për qind e punonjësve raportuan përpjekje për vjedhjen e të dhënave personale, 16 për qind për vjedhjen e fjalëkalimeve, 17 për qind për sulme me programe keqdashëse dhe 15 për qind për mashtrime të krijuara me inteligjencë artificiale.

Gjetjet nxorën në pah një hendek mes ndërgjegjësimit të punonjësve për rreziqet e sigurisë kibernetike dhe praktikave të tyre të përditshme. Derisa 83 për qind e të anketuarve thanë se pasojat e mundshme të sulmeve kibernetike janë serioze, vetëm 48 për qind thanë se mund të dallonin një video të rreme të krijuar me inteligjencë artificiale.

Rreth 69 për qind e të anketuarve e konsideruan gjithashtu si rrezik për sigurinë kibernetike shpërndarjen e informacioneve të lidhura me punën në rrjetet sociale. Shumica e punonjësve thanë se e dinin se duhet të raportonin email-et e dyshimta dhe të instalonin përditësimet e softuerëve.

Megjithatë, vetëm 54 për qind thanë se kontrollojnë dërguesin përpara se të hapin lidhjet, ndonëse 72 për qind deklaruan se mund të identifikonin email-et e dyshimta.

Related posts

Myftiu Tërnava, priti në takim akademikët Fetih Mehdiun dhe Muhamed Mufakun

admin

Zelenskyy: Ukraina synon të zhvillojë raketa balistike dhe sisteme mbrojtëse nga raketat në vitet 2026-27

Kushtrim Guraj

Parlamenti i Spanjës nuk mbështet iniciativën për njohjen e Kosovës, ja sa deputetë votuan kundër

admin