RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Me rritjen e çmimeve, grekët kalojnë kufirin drejt Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për karburant më të lirë

me-rritjen-e-cmimeve,-greket-kalojne-kufirin-drejt-maqedonise-se-veriut-dhe-bullgarise-per-karburant-me-te-lire

Varfëria energjetike, banesat me izolim të dobët dhe vjetërsia e automjeteve i lënë familjet greke të ekspozuara ndaj rritjes së kostove të energjisë, raportoi sot gazeta “Kathimerini” ndërsa banorët e Greqisë veriore kalojnë kufirin drejt Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për të blerë karburant me çmim më të lirë, transmeton Anadolu.

Rreth 20 për qind e familjeve greke përjetojnë varfëri energjetike, dyfishi i mesatares evropiane, duke kufizuar mundësinë e tyre për të ulur konsumin, sipas gazetës. Përqindja e familjeve që nuk janë në gjendje t’i mbajnë banesat e tyre mjaftueshëm të ngrohta ishte 18,1 për qind në vitin 2025, krahasuar me mesataren prej 8,8 për qind në BE.

Më shumë se gjysma e banesave në Greqi janë ndërtuar para vitit 1980, ndërsa rreth gjashtë në dhjetë nuk kanë izolim të mjaftueshëm. Tre të katërtat e ndërtesave bëjnë pjesë në kategoritë me efikasitet të ulët energjetik.

Pavarësisht se rreth 2,5 miliardë euro janë mobilizuar përmes programeve të rinovimit gjatë 15 viteve, vetëm 9,5 për qind e banorëve kanë raportuar se kishin kryer përmirësime energjetike në pesë vitet e fundit, krahasuar me një mesatare evropiane prej 23,9 për qind.

Transporti përbën rreth 43 për qin të konsumit përfundimtar të energjisë, ndërsa automjetet e pasagjerëve kanë një moshë mesatare prej 17,8 vitesh, krahasuar me 12,7 vjet në BE, raportoi “Kathimerini”. Ndërkohë, banorët e Greqisë veriore po udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për të mbushur automjetet me karburant me çmime më të ulëta, raportoi media LiFO, duke cituar televizionin “Mega”.

Drejtuesit e automjeteve nga Serresi, Drama dhe Kilkisi kalojnë rregullisht përmes pikës kufitare Promahona drejt Bullgarisë, ku benzina pa plumb kushton rreth 0,56 euro më pak për litër dhe dizeli 0,33 euro më pak se në Greqi.

Në Maqedoninë e Veriut, benzina është rreth 0,60 euro më e lirë për litër, ndërsa dizeli 0,54 euro më e lirë. Përfaqësues të tregut të karburanteve vlerësuan se çmimet e reja të rafinerive mund të sjellin rritje shtesë prej gati 2 për qind ndërsa qeveria po përgatit masa shtesë mbështetëse, raportoi LiFO.

Related posts

Kurti viziton familjen e Rugovës: Ai e bashkoi popullin e Kosovës kundër okupimit të Serbisë

admin

Netanyahu: Faza e luftimeve intensive kundër Hamasit po i vjen fundi, por lufta nuk ka mbaruar

admin

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës priti në takim atasheun e mbrojtjes së Türkiye-s

Muhamet Ramadani