Forcat qeveritare të Jemenit thanë sot se 30 luftëtarë të Huthive janë vrarë dhe 50 të tjerë janë plagosur në përleshjet në jug të qytetit Taiz në Jemenin jugperëndimor, transmeton Anadolu.
Qendra e Medias e Boshtit Ushtarak të Taizit tha se viktimat u shënuan në frontin Al-Aqrud, në rrethin Al-Misrakh. Ajo tha se luftëtarët e Huthive u vranë dhe u plagosën nga forcat qeveritare gjatë luftimeve.
Një burim ushtarak i tha agjencisë shtetërore të lajmeve të Jemenit, Saba, se forcat qeveritare u përfshinë të enjten në luftime të ashpra me Huthit në disa fronte në gjithë provincën Taiz. Burimi tha se luftimet u përqendruan në Bani Bakari, në rrethin Jabal Habashi, Humair në rrethin Maqbanah dhe në frontin Al-Aqrud në juglindje të provincës.
Përleshjet më pas u përhapën në frontet Al-Kadaha dhe Jabal Han si dhe në frontet veriore dhe lindore të qytetit Taiz, shtoi burimi. Sipas burimit ushtarak, forcat qeveritare zmbrapsën sulmet e Huthive pas disa orësh luftime të ashpra dhe i detyruan luftëtarët e grupit të tërhiqeshin, duke u shkaktuar humbje në njerëz dhe pajisje.
Më vonë, Boshti Ushtarak i Taizit tha se avionë luftarakë të forcave të armatosura kryen dy sulme ajrore ndaj pozicioneve të Huthive në frontin Humair, në rrethin Maqbanah, në perëndim të Taizit.
Huthit nuk kanë bërë koment lidhur me këto raportime.
Luftimet janë përshkallëzuar ndjeshëm në Taiz dhe në provincën fqinje Lahj gjatë javëve të fundit. Të hënën, forcat qeveritare thanë se bombarduan përforcimet e Huthive, përfshirë një tank, në zonën Al-Marzam të rrethit Al-Rubaie, në perëndim të Taizit.
Të premten e kaluar, forcat qeveritare thanë gjithashtu se morën nën kontroll vargmalin strategjik Numan në Lahj, i cili mbikëqyr rrethet Al-Wazi’iyah dhe Al-Mudarabah, pas përleshjeve me Huthit. Ushtria tha se kontrolli i zonës do të ndihmojë në sigurimin e fshatrave përreth dhe ndërprerjen e një rruge depërtimi të Huthive.
Luftimet e fundit janë pjesë e një përshkallëzimi më të gjerë në gjithë Jemenin, i cili është intensifikuar që nga korriku, duke i dhënë fund qetësisë relative që kishte mbizotëruar kryesisht që nga hyrja në fuqi e një armëpushimi të ndërmjetësuar nga OKB-ja në prill të vitit 2022.
Huthit kanë kontrolluar kryeqytetin Sana dhe disa pjesë të tjera të vendit që nga viti 2014.

