Turqia dëshiron të bëhet një nga fuqitë më efektive globalisht në fushat e komunikimit dhe informacionit, tha shefi i Kryesisë së Komunikimeve pranë Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun
Shefi i Kryesisë së Komunikimeve pranë Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun, tha se vendi synon të bëhet një qendër rajonale dhe globale e informacionit, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në Konferencën e 13-të të Ambasadorëve në Ankara, Altun tha se Turqia, nëpërmjet diplomacisë publike, dëshiron të bëhet një nga fuqitë më efektive globalisht në fushat e komunikimit dhe informacionit.
“Ne duam të bëhemi një epiqendër informacioni në rajon dhe në botë”, tha Altun.
Ai theksoi se për këtë qëllim, Turqia ka bërë shumë punë, duke informuar mediat ndërkombëtare drejtpërdrejt nga Ankaraja dhe Istanbul-i për çështje kritike, nga të cilat përfitoi edhe vendi.
Transformimi i sistemit ndërkombëtar ka sjellë gjithashtu një luftë të bazuar në komunikim, tha ai, duke shtuar se luftërat e informacionit janë bërë pjesë e luftërave konvencionale dhe ato shpërthejnë shumë shpejt.
Altun u shpreh se lufta midis Rusisë dhe Ukrainës ka treguar se si një luftë intensive dezinformative mund të dominojë në arenën ndërkombëtare.
“Operacionet e dezinformimit kanë filluar të bëhen më të organizuara dhe më të institucionalizuara dhe fatkeqësisht janë bërë pjesë e marrëdhënieve ndërkombëtare”, shtoi ai.
Duke theksuar se operacionet e bazuara në mediat sociale janë bërë një mjet për të ndërhyrë në politikat e brendshme, ai tha se Turqia është vendi më i prekur nga fushatat sistematike të dezinformimit.
Ai tha gjithashtu se vlera e markës dhe aktivitetet e diplomacisë publike të vendeve janë bërë më të rëndësishme për sa i përket marrëdhënieve ekonomike dhe politike.
Altun u shpreh se me të vërtetë, Turqia është aktualisht në pozitën e një “vendi rend-ndërtues”, si dhe një fuqi rajonale dhe globale që po rrit efektivitetin e saj.
“Në këtë epokë të re, Turqia po bën një përpjekje të jashtëzakonshme në aspektin diplomatik, politik, humanitar, ushtarak dhe ekonomik për të gjetur zgjidhje për krizat globale dhe rajonale”, shtoi ai.
Duke vënë në dukje se po bëjnë përpjekje të mëdha për të forcuar infrastrukturën teknologjike të Turqisë dhe për të krijuar mundësi të reja, ai tha se është jetike që Turqia të interpretohet nga vendi dhe të informohen bashkëbiseduesit e saj në kohë. /aa