Mes një ngadalësimi ekonomik, Kina duhet të miratojë masa të veçanta për të kompensuar goditjet përtej pritshmërive që përfshinë vendin e madh aziatik gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, sipas kryeministrit kinez, Li Keqiang.
“Tani është momenti më kritik për rikthimin ekonomik”, u tha ai udhëheqësve provincialë në një takim në Shenzhen.
”Zyrtarët duhet të koordinojnë përgjigjen ndaj Covid-19 me zhvillimin ekonomik dhe social për të siguruar kontroll efektiv të Covid-it, stabilitet ekonomik dhe siguri të zhvillimit”, tha ai duke iu referuar bllokimeve të vendosura nën politikën strikte kineze ”zero Covid-19”, të cilat kanë penguar rritjen.
Li u bëri thirrje gjashtë provincave më të zhvilluara ekonomikisht, të cilat së bashku përbëjnë 45% të prodhimit ekonomik, që të nxisin në mënyrë proaktive rritjen.
“Ato duhet të zbatojnë në mënyrë efektive paketën e politikave për stabilizimin e ekonomisë dhe të zhbllokojnë potencialin e tyre politik”, tha ai.
Ai tha gjithashtu se këto krahina duhet të marrin një rol udhëheqës në krijimin dhe ruajtjen e vendeve të punës, duke vënë në dukje se kërkesa e ngadaltë është një pengesë e theksuar në aktivitetin ekonomik”.
Komentet e Li ishin një pranim publik se ekonomia kineze po dobësohet dhe ato po vijnë pasi prodhimi industrial, shitjet me pakicë dhe investimet e aseteve fikse ranë nën parashikimet në korrik.
Në një lëvizje të papritur për të forcuar ekonominë, Banka Qendrore e Kinës ka ulur gjithashtu disa norma interesi.
Në tremujorin e dytë, ekonomia e Kinës u rrit me vetëm 0,4%, shumë më poshtë objektivit të qeverisë prej 5,5% për vitin në tërësi.
”Ekonomia kineze ka të ngjarë të rritet vetëm 3,3% këtë vit”, sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar. /atsh