Presidenti Joe Biden do t’i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork të mërkurën. Sipas korrespodentes së Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, ai pritet të flasë mbi përpjekjet e Uashingtonit për të forcuar sigurinë globale ushqimore, Fondin Global për të luftuar SIDA-n dhe pandemitë e tjera.
Rreth 828 milionë njerëz vuajnë nga mungesa e ushqimeve, sipas Programit Botëror të Ushqimit, gjë që e ka bërë sigurinë globale ushqimore një prioritet për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që fillon punimet këtë javë.
“Presidenti do të ketë mundësinë t’i drejtohet të gjithë Asamblesë së Përgjithshme. Ai do të merret me çështje të sigurisë ushqimore në mbarë globin. Lufta në Ukrainë ka përkeqësuar problemet me ushqimin”, tha John Kirby, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Sipas ekspertëve z. Biden do të kërkojë të balancojë interesat e SHBA-së dhe aleatëve evropianë për të mbështetur Ukrainën dhe për të izoluar Rusinë.
“Në fillim të luftës, diplomatët evropianë, në veçanti, kërkuan që homologët e tyre afrikanë dhe aziatikë të mbështesin Ukrainën në OKB. Por ata nuk treguan se po dëgjonin shqetësimet e homologëve të tyre për sigurinë ushqimore dhe problemet ekonomike të lidhura me luftën. Aktualisht SHBA-ja dhe evropianët po përpiqen vërtet të dërgojnë mesazhin se janë dashamirës ndaj shqetësimeve ekonomike të botës në zhvillim dhe se do të punojnë për t’i trajtuar këto shqetësime”, thotë eksperti Richard Gowan, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.
Për këtë qëllim, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të organizojë një takim të nivelit të lartë mbi sigurisë ushqimore të martën, përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Pas nisjes së agresionit të Rusisë në Ukrainë, eksportet e drithrave dhe plehrave kimike nga rajoni u ndërprenë. Si pasojë çmimet u ngritën dhe u hodh një hap pas, arritjes së objektivit të OKB-së, një botë pa uri deri në vitin 2030.
“Ne duhet të investojmë shumë më tepër agrikulturë dhe veçanërisht në sektorin e ushqimit, në mënyrë që njerëzit e varfër të mund të kenë më shumë përfitime, që çmimet e ushqimeve të qëndrojnë të ulëta e të jenë të arritshme nga të gjithë”, thotë Rob Vos, nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Politikave Ushqimore.
Shëndeti global është një tjetër prioritet për administratën Biden.
“Siç e pamë gjatë pandemisë COVID-19, kërcënimet globale të shëndetit nuk njohin kufij. Ne duhet të trajtojmë së bashku koronavirusin, linë e majmunit apo viruse të tjera”, thotë Linda Thomas-Greenfield, ambasadore e SHBA në OKB.
Të mërkurën presidenti Biden do të marrë pjesë gjithashtu në një konferencë të Fondit Global mbi Luftën kundër SIDA-s, Tuberkulozit dhe Malaries.
SHBA-ja ka dhënë 2 miliardë dollarë nga 6 miliardë të mbledhura deri tani për të luftuar këto sëmundje. Por ekspertët thonë se nevojiten 18 miliardë dollarë. /voa