RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Schmidt bën ndryshime në Ligjin zgjedhor të Bosnjës

schmidt-ben-ndryshime-ne-ligjin-zgjedhor-te-bosnjes

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, mori një vendim për masat që synojnë përmirësimin e funksionalitetit të entiteteve të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës dhe sigurimin e zbatimit në kohë të rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura të dielën, më 2 tetor.

Paketa e masave përmban ndryshime në Ligjin zgjedhor dhe Kushtetutën e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës. Ndryshimet i referohen ekskluzivisht konstituimit paszgjedhor të organeve të zgjedhura në mënyrë indirekte.

“Kërkesa ime urgjente për Parlamentin e zgjedhur të Bosnjë e Hercegovinës sot është që të miratohet me shpejtësi vendimi që është diskutuar për më shumë se dhjetë vjet: zbatoni aktgjykimet Sejdiq-Finci, Zorniq dhe të gjitha vendimet e Gjykatës në Strasburg dhe gjykatave në Sarajevë”, tha Schmidt përmes një deklarate.

Më 22 dhjetor, 2009, Gjykata Evropiane konstatoi se Kushtetuta e Bosnjës i diskriminon drejtpërdrejt pakicat, duke mos lejuar pjesëmarrjen e barabartë të tyre në zgjedhjet demokratike.

Atëbotë, rasti u dërgua në gjykatë nga Dervo Sejdiq, rom, dhe Jakob Finci, boshnjak.

Por, autoritetet e Bosnjës, që nga ajo kohë, nuk e kanë ndryshuar ende Kushtetutën dhe tri palë zgjedhje të përgjithshme janë mbajtur në përputhje me të.

Siç thuhet në njoftimin e Schmidit, vendimet paraqesin mekanizma për zhbllokimin dhe afate të përcaktuara rreptësisht “të cilat do të sigurojnë funksionalitetin e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës”.

Vendimi për Dhomën e Popujve të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës nënkupton që secili nga kombet konstituive (serb, kroat dhe boshnjak), do të ketë nga 23 delegatë, në vend të 17 siç kishin më herët.

“Kjo shpërndarje e mandateve korrigjon mbipërfaqësimin e theksuar të secilit prej tri kombeve konstituive në kantonet ku jetojnë në një numër më të vogël”, thuhet në vendimin e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë.

Sipas marrëveshjes së Dejtonit, të vitit 1995, Bosnja është e ndarë në Federatën boshnjake dhe kroate, që kanë dhjetë kantonte, në Republikën Sërpska të dominuar nga serbët dhe në qarkun e vogël vetëqeverisës të Bërçkos.

“Kam vendosur masa që do të përmirësojnë funksionalitetin e institucioneve në Federatën e Bosnjë e Hercegovinës. Ato do t’u mundësojnë të gjithë qytetarëve t’u dëgjohet zëri i tyre dhe të sigurojnë që ata të përfaqësohen me të vërtetë nga ata që kanë zgjedhur”, tha Schmidt.

Vendimi i Përfaqësuesit të Lartë vjen në ditën kur qytetarët në Bosnjë e Hercegovinë votuan për zgjedhjet e përgjithshme. Këto zgjedhje, sipas analistëve, nuk pritet të sjellin ndonjë ndryshim transformues. /rel

Related posts

Përfaqësuesi i Shqipërisë në OKB, Hoxha: Reforma e KS-OKB nuk ka mundur të përparojë prej 30 vitesh

rezart morina

Çmimi i naftës më i ulëti në 7 javë/ Analistët: Shkak, shtimi i rezervave amerikane dhe shpresat për armëpushim në Lindjen e Mesme

admin

FOTOLAJM/ Nën masa të rrepta sigurie, kreu i SYRIZA-s i jep fund beqarisë! Stefanos Kasselakis dhe partneri i tij martohen në një festë private

admin