RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Schmidt bën ndryshime në Ligjin zgjedhor të Bosnjës

schmidt-ben-ndryshime-ne-ligjin-zgjedhor-te-bosnjes

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, mori një vendim për masat që synojnë përmirësimin e funksionalitetit të entiteteve të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës dhe sigurimin e zbatimit në kohë të rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura të dielën, më 2 tetor.

Paketa e masave përmban ndryshime në Ligjin zgjedhor dhe Kushtetutën e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës. Ndryshimet i referohen ekskluzivisht konstituimit paszgjedhor të organeve të zgjedhura në mënyrë indirekte.

“Kërkesa ime urgjente për Parlamentin e zgjedhur të Bosnjë e Hercegovinës sot është që të miratohet me shpejtësi vendimi që është diskutuar për më shumë se dhjetë vjet: zbatoni aktgjykimet Sejdiq-Finci, Zorniq dhe të gjitha vendimet e Gjykatës në Strasburg dhe gjykatave në Sarajevë”, tha Schmidt përmes një deklarate.

Më 22 dhjetor, 2009, Gjykata Evropiane konstatoi se Kushtetuta e Bosnjës i diskriminon drejtpërdrejt pakicat, duke mos lejuar pjesëmarrjen e barabartë të tyre në zgjedhjet demokratike.

Atëbotë, rasti u dërgua në gjykatë nga Dervo Sejdiq, rom, dhe Jakob Finci, boshnjak.

Por, autoritetet e Bosnjës, që nga ajo kohë, nuk e kanë ndryshuar ende Kushtetutën dhe tri palë zgjedhje të përgjithshme janë mbajtur në përputhje me të.

Siç thuhet në njoftimin e Schmidit, vendimet paraqesin mekanizma për zhbllokimin dhe afate të përcaktuara rreptësisht “të cilat do të sigurojnë funksionalitetin e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës”.

Vendimi për Dhomën e Popujve të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës nënkupton që secili nga kombet konstituive (serb, kroat dhe boshnjak), do të ketë nga 23 delegatë, në vend të 17 siç kishin më herët.

“Kjo shpërndarje e mandateve korrigjon mbipërfaqësimin e theksuar të secilit prej tri kombeve konstituive në kantonet ku jetojnë në një numër më të vogël”, thuhet në vendimin e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë.

Sipas marrëveshjes së Dejtonit, të vitit 1995, Bosnja është e ndarë në Federatën boshnjake dhe kroate, që kanë dhjetë kantonte, në Republikën Sërpska të dominuar nga serbët dhe në qarkun e vogël vetëqeverisës të Bërçkos.

“Kam vendosur masa që do të përmirësojnë funksionalitetin e institucioneve në Federatën e Bosnjë e Hercegovinës. Ato do t’u mundësojnë të gjithë qytetarëve t’u dëgjohet zëri i tyre dhe të sigurojnë që ata të përfaqësohen me të vërtetë nga ata që kanë zgjedhur”, tha Schmidt.

Vendimi i Përfaqësuesit të Lartë vjen në ditën kur qytetarët në Bosnjë e Hercegovinë votuan për zgjedhjet e përgjithshme. Këto zgjedhje, sipas analistëve, nuk pritet të sjellin ndonjë ndryshim transformues. /rel

Related posts

23 pa’lestinezë të tjerë vr’iten nga su’lmet iz’raelite në Ga’za, totali shkon në të paktën 41.825

Muhamet Ramadani

Alarm tek Interi, dëmtohet edhe ai që po shkëlqente

admin

OKB përgatitet për krizë humanitare në Niger

admin