Numri i të pastrehëve që enden çdo ditë rrugëve të qyteteve italiane po rritet dita-ditës. Organizatat e ndihmës humanitare si Kryqi i Kuq po përpiqen të ndihmojnë njerëzit që nuk kanë çati mbi kokë dhe që luftojnë çdo ditë për të mbijetuar.
Me rastin e 10 tetorit, Ditës Botërore të të Pastrehëve, ekipi i Anadolu Agency (AA) me vullnetarë të Kryqit të Kuq Italian, të cilët po shpërndanin ndihma për nevojtarët, filmoi situatën në rrugët e qyteteve italiane.
Sipas të dhënave nga burime të ndryshme, në Itali ka më shumë se 50 mijë të pastrehë. Shumica e këtyre njerëzve jetojnë në rrugët e Romës dhe Milanos në kushte të vështira dhe moti i ftohtë dhe me shi e bën jetën e tyre edhe më të vështirë.
Në mesin e të pastrehëve ka emigrantë nga vende të ndryshme, por edhe italianë.
Organizata të ndryshme humanitare, veçanërisht Kryqi i Kuq Italian, sigurojnë gjëra të nevojshme si rroba, ushqim, pije, ilaçe dhe batanije për të pastrehët, të cilët jetojnë në strehimore prej kartoni në qoshet e rrugëve dhe shesheve të Romës dhe Milanos.
Francesco, një nga të pastrehët e Romës, tha se ai jeton në rrugë për 26 vjet. “Kam punuar, por pas shkarkimit jam në këtë situatë. Tani jam 66 -vjeç, jam në pritje të pensionit. Është shumë e vështirë të gjesh një punë në këtë moshë”, tha Francesco.
Qeni i tij Tommaso e ka shoqëruar për gjashtë vjet. “E gjeta këtu kur ishte dy vjeç. E kishin lënë këtu. Kemi gjashtë vjet që jemi bashkë”, tha Francesco.
Siç tha ai, shpesh nuk gjente ushqim në mbrëmje ose e kalonte ditën vetëm me një vakt.
Alberto është me disa të pastrehë në sheshin Risorgimento pranë Vatikanit.
“Jam i divorcuar. Jam jashtë, nuk kam probleme shumë të mëdha financiare. Herë fle këtu, herë në qendrën e pritjes. Këtu ka solidaritet”, tha Alberto.
Francesca Nicolai me një ekip vullnetar prej gjashtë personash viziton dy herë në javë vendet ku ka të pastrehë dhe i ndihmon ata.
Ajo theksoi se ka shumë të pastrehë. Sipas saj, ata u japin ushqime dhe sende higjienike, por synimi kryesor është të bisedojnë me ta, të kuptojnë problemet e tyre dhe të gjejnë zgjidhje për to.
“Ne i dëgjojmë. Ata janë njerëz ‘të padukshëm’ që askush nuk i shikon. Qëllimi ynë është t’i bëjmë këta njerëz më pak të ‘padukshëm’, duke iu afruar, duke folur. Ajo që këta njerëz duan më shumë është që disi të ndihen normal”, tha Nicolai.
Ajo theksoi se nuk e dinë numrin e saktë të të pastrehëve.
“Fatkeqësisht, është shumë e lehtë të biesh në këtë situatë. Siç e dimë nga ajo që na është thënë, njerëzit që kishin një jetë normale deri para disa vitesh tani janë në këtë situatë sepse kanë humbur punën ose nuk munden të paguajnë qiranë. Situata është përkeqësuar dhe gjatë pandemisë. Këtu nuk janë vetëm ata që kanë humbur punën, por edhe ata që janë futur në këtë situatë për arsye të tjera. Ka probleme si varësia, problemet me vetminë, takojmë edhe shumë njerëz me probleme psikiatrike. Të gjitha llojet e vetmisë, izolimi çon në distancim nga konteksti social”, shpjegoi Nicolai.
Marco Tozzi, vullnetar i Kryqit të Kuq në Milano, tha se në vitin 2001 ata filluan të ndihmojnë njerëzit që kishin mbetur të pastrehë.
“Ne filluam duke shpërndarë batanije ose gjëra për t’i mbajtur gjallë në netët e ftohta milaneze. Kemi afërsisht 500 vullnetarë. Njerëzit nuk zgjedhin të jetojnë në rrugë. Shumë përfundojnë në këtë situatë pasi vuajnë me vite. Mund të jetë shkaktuar nga problemet ekonomike, problemet psikologjike dhe problemet sociale, ose nga kombinimi i të triave. Është më e lehtë të marrësh një person që ka tre deri në gjashtë muaj në rrugë dhe ta kthesh në një jetë normale, por pas gjashtë muajsh kjo bëhet më e vështirë”, tha Tozzi.