Krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut shprehën ngushëllimet e tyre pas shpërthimit të sotëm në Istanbul. Presidenti Stevo Pendarovski me një reagim në Twitter ngushëlloi homologun turk Recep Tayyip Erdoğan dhe familjarët e viktimave.
Krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut shprehën ngushëllimet e tyre pas shpërthimit të sotëm në Istanbul. Presidenti Stevo Pendarovski me një reagim në Twitter ngushëlloi homologun turk Recep Tayyip Erdoğan dhe familjarët e viktimave.
“Shpreh ngushëllime të thella deri te familjet e viktimave, presidenti Erdoğan dhe popullit turk në këto momente të rënda pas shpërthimit të frikshëm sot në Istanbul. Të lënduarve u dëshiroj shërim të shpejtë”, publikoi në Twitter presidenti Pendarovski.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij për popullin vëlla turk dhe krerët e Turqisë.
“Shpreh ngushëllimet e thella për popullin vëlla turk, familjarët e viktimave, kryetarin e Istanbulit Imamoglu dhe presidentin Erdoğan pas shpërthimit të sotëm në zemrën e Istanbulit”, thuhet në reagimin e kryeministrit Kovaçevski.
Edhe ministri i jashtëm Bujar Osmani nëpërmjet Twitterit i dërgoi ngushëllime homologut turk Mevlüt Çavuşoğlu.
“I shokuar dhe i mërzitur nga lajmet për shpërthimin në Istanbul, Turqi këtë pasdite që rezultoi me disa viktima. Ngushëllimet e mia më të thella shkojnë për familjarët dhe të dashurit e viktimave. Uroj sinqerisht shërim sa më të shpejtë për të lënduarit”, thuhet në reagimin e kryediplomatit Osmani.
Ndërkohë Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut tha se asnjë shtetas i vendit nuk ka kërkuar ndihmë, por tha se Konsullata e Përgjithshme në Istanbul dhe Ambasada në Ankara janë vënë në gjendje emergjence. Ministria e Jashtme gjithashtu publikoi dy numra kontakti ku qytetarët mund të kërkojnë ndihmë në rast nevoje: +905456149777 në Istanbul dhe +38975273732 në Shkup.
Edhe Tirana zyrtare ka shprehur ngushëllimet e popullit shqiptar për ngjarjet e sotme në Istanbul.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj në Twitter shkroi se mendimet dhe lutjet e tyre janë me familjet e viktimave dhe personave të plagosur nga shpërthimi.
“Të tronditur nga kjo tragjedi, ne qëndrojmë pranë Turqisë dhe dënojmë çdo akt që synon dëmtimin e njerëzve të pafajshëm”, shkruan Begaj.
Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka tha se Shqipëria qëndron pranë Turqisë dhe popullit të saj në këtë ditë të dhimbshme.
“Pamje tragjike na vijnë nga Stambolli. Zemrat dhe mendjet tona janë te familjet e të vrarëve dhe lënduarve. Qëndrojmë afër Turqisë dhe popullit të saj në këtë ditë të dhimbshme”, shkruan ministrja Xhaçka.
Ndërkaq, në Kosovë ka reaguar kryetari i AAK-së, ish-kryeministri Ramush Haradinaj.
“I tronditur nga shpërthimi i sotëm në Stamboll. Aktet e tilla qyqare na kujtojnë edhe një herë që bota duhet të jetë bashkë, e demokratizuar dhe e zëshme kundër dhunës dhe terrorit.
Lutemi për viktimat, të lënduarit dhe familjet e tyre. Qëndrojmë pranë Turqisë në këtë ditë të kobshme”, shkruan Haradinaj. /trt