Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, është deklaruar pas takimit që patën me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Rakiq tha se serbët nuk mund të tolerojnë “terrorin e Prishtinës”, teksa paralajmëroi protesta në të gjitha institucionet.
Në një konferencë për media, Rakiq tha se në Bruksel nuk është arritur asnjë marrëveshje dhe për këtë përgjegjëse është Prishtina, e që sipas tij kjo mund të dëgjohet edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë.
Sipas Rakiq, të gjithë ata që bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje sot e dinë se kush është ana destruktive.
“Ne duam vetëm paqe. Ne kërkojmë vetëm të zbatohen marrëveshjet e nënshkruara. Duam të jetojmë në paqe, të jemi vetvetja në vendin tonë dhe të qëndrojmë në shekullin tonë. Tri pika i thyen shpinën devesë: Shkarkimi i Nenad Gjuriqit, vendimi për heqjen e targave të Serbisë dhe fakti që Asociacioni nuk është formuar ende. Me ne është edhe Ivan Todosijeviq, i cili u dënua për fjalët e tij. Policia speciale Njësitet po ngacmojnë vëllezërit, motrat, janë katër baza të reja, na kanë ndaluar të vaksinohemi, zgjedhjet, referendumi. E kanë qëlluar Sreçko Sofronijeviqin, Dragica Gasiqin e kanë të ndaluar të blejnë bukë, ka pasur sulme të panumërta dhe këto janë mesazhe të qarta se nuk na duan këtu, si dhe të kthyerve se nuk janë të mirëseardhur”, tha Rakiq.
Ai shtoi se protesta do të ketë në qendra shëndetësore, shkolla e në shumë institucione të tjera.
“Nuk kemi ku të shkojmë dhe shpresoj se nuk do të duhet të mbrohemi. Njerëzit nuk mund të tolerojnë më torturat që po bën Prishtina. Do të kemi protesta në shkolla, qendra shëndetësore dhe në të gjitha institucionet e tjera”, ka përfunduar Rakiq.