Bastiset nga Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës, dyshohet për strehimin e të huajve dhe magazinim armësh
Një manastir 1000-vjeçar në Kiev është nën dyshim për “veprimtari armiqësore dhe sabotim për rusët”. Shërbimi i Sigurisë SBU dhe policia e Ukrainës bastisën manastirin e krishterë ortodoks Pechersk Lavra, një thesar kulturor ukrainas dhe selia e fraksionit të Kishës Ortodokse të Ukrainës mbështetur nga Rusia dhe Patriarkana e Moskës.
“Këto masa po merren… si pjesë e punës sistematike të SBU-së për të kundërshtuar aktivitetet shkatërruese të shërbimeve speciale ruse në Ukrainë“, tha Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) në një deklaratë.
Bastisja e manastirit kishte për qëllim parandalimin e përdorimit të vendit të shenjtë si “qendër e botës ruse” dhe nën dyshimin e “përdorimit të mjediseve… për strehimin e grupeve të sabotimit dhe zbulimit, shtetasve të huaj, apo magazinimin e armëve”.
Kisha ortodokse ruse dhe Kremlini e dënuan bastisjen.
Në maj, Kisha Ortodokse e Ukrainës shkëputi marrëdhëniet me Patriarkanën e Moskës dhe dënoi mbështetjen e patriarkut Kiril, kreut të kishës ruse, për luftën.
Ndërkohë Ukraina vazhdon të përballet me probleme të mëdha të furnizimit të popullatës me energji elektrike si pasojë e sulmeve ruse. Të hënën autoritetet u bënë thirrje banorëve në kryeqytet e në zona të tjera të vendit të kufizojnë përdorimin e energjisë ndërsa riparohen dëmet e rrjetit elektrik. Nga ana tjetër Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se miliona vetë në Ukrainë do të përballen me një dimër “kërcënues për jetën”.
“Ky dimër do të jetë luftë për mbijetesë. Qindra spitale dhe objekte të kujdesit shëndetësor nuk janë më plotësisht funksionalë”, tha Hans Kluge, drejtor rajonal i OBSH-së për Europën.
Edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u kërkoi banorëve të Kievit dhe të zonave të tjera të goditura rëndë nga sulmet ruse si Vinnytsia, Sumy dhe Odesa, të kursejnë energjinë.
Operatori kombëtar energjetik tha të martën se dëmi i shkaktuar në objektet gjeneruese të energjisë është “kolosal“, por shtoi se nuk ka nevojë për evakuimin e civilëve.
Praktikisht asnjë termocentral apo hidrocentral nuk ka mbetur pa u dëmtuar nga sulmet ruse. /klannews