Policia e Kosovës ka njoftuar se janë sulmuar me armë zjarri tri herë në afërsi të pendës së Liqenit të Ujmanit, teksa po patrullonin në rrugën që shpie në drejtim të pikës kufitare në Bërnjak.
Këtë gjë PK-ja e ka njoftuar me anë të një komunikate për media, duke thënë se njësitet policore iu janë kundërpërgjigjur me armë zjarri grupeve kriminale, të cilët janë zbrapsur më pas.
“Persona nga grupe të caktuara kriminale të cilat kanë kryer bllokimin e disa rrugëve në veri të vendit, nga lokacione të ndryshme, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të pendës së liqenit të Ujmanit, në rrugën që shpie në drejtim të Pikës Kufitare të Bërnjakut”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Institucioni i sigurisë thotë se PK-ja është njoftuar se ka pasur të shtëna me armë zjarri edhe në disa lokacione të ndryshme në veri.
“Njësitet policore, në vetëmbrojtje janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri personave/grupeve kriminale, të cilat janë zmbrapsur dhe larguar në drejtim të panjohur. Po ashtu bazuar në informacionet e siguruara nga njësitet policore në terren, në disa lokacione të ndryshme, janë dëgjuar po ashtu të shtëna me armë zjarri”.
“Deri më tani nuk ka ndonjë informacion zyrtar për ndonjë person të lënduar apo dëme të mundshme të shkaktuara. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të ruajtjes së sigurisë publike dhe rendit kushtetues”.