Në ditën e gjashtë me radhë që kur serbët vendosën barrikadat në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, situata vazhdon të jetë e njëjtë.
Edhe pse gjatë natës pati vazhdimisht reshje të shiut, serbët kanë vazhduar të qëndrojnë të grumbulluar në këto pika.
Madje siç raportohet nga mediat, serbët e pranishëm në këto pika theksuan se vendosja e barrikadave dhe mos largimi i tyre është “zgjidhja” e vetme për t’u dëgjuar.
“Ne jemi tek këto barrikada ku kërkojmë të drejtat tona dhe Albin Kurti po emëron shqiptarët dhe po përpiqet që të rrethojë qeverinë. Ne nuk do të tolerojmë robërinë”, u tha në një nga deklarimet e qytetarëve serbë.
Madje të njëjtit hanë se janë të revoltuar me situatën, por se pavarësisht kërkesave nuk do të lejojnë heqjen e barrikadave.
Ata kanë vazhduar të kërkojnë lirimin e ish-policit serb, Pantiq.
“Ne nuk heqim dorë nga këtu as nga heqja e barrikadave. Fillimisht lëreni të lirë Pantiqin të lirë, forcat speciale të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe mos mendoni t’i arrestoni njerëzit në bazë të listave, e pastaj do të flasim”, u tha nga një prej të pranishme, raporton KosovoOnline, transmeton lajmi.net.
Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian është kërkuar që këto barrikada të largohen dhe situata të kthehet në normalitet.
Madje në kuadër të kësaj është pritur që gjatë këtyre ditëve të bëhet largimi i këtyre barrikadave, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Zyrtarë policorë të shumtë të Kosovës kanë vazhduar të qëndrojnë në pikat kufitare prej disa ditësh, madje pa u ndërruar fare.
Situata e tensionuar në veri të vendit po vazhdon prej shumë javësh, ndërsa pavarësisht takimeve të shumta në mes përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve të huaj, veriu ende mbetet pa zgjidhje.