RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Komiteti amerikan i 6 janarit rekomandon akuza penale për ish-presidentin Trump

komiteti-amerikan-i-6-janarit-rekomandon-akuza-penale-per-ish-presidentin-trump

Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi sulmin e 6 janarit të vitit 2021 në Kapitolin e SHBA-së ka rekomanduar që Departamenti i Drejtësisë të ndjekë akuza penale kundër ish-presidentit Donald Trump, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në seancën përfundimtare publike pas 18 muajsht hetimi për sulmin e dhunshëm, nëntë anëtarët e komitetit dypartiak votuan unanimisht për t’i kërkuar Departamentit të Drejtësisë që të ndjekë akuza penale kundër ish-presidentit Trump për përpjekjet e tij për të përmbysur zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Akuzat përfshijnë pengimin e një procedimi zyrtar, komplotin për të mashtruar SHBA-në, komplotin për të bërë një deklaratë të rreme, si dhe nxitje, ndihmë ose ofrimin e ndihmës për një kryengritje.

Anëtari i komisionit, Jamie Raskin, la derën e hapur për prokurorët që ndjekin akuza shtesë kundër ish-presidentit Trump dhe aleatëve të tij, duke theksuar se komiteti “nuk përpiqet të përcaktojë të gjithë pjesëmarrësit e mundshëm në këtë komplot”.

“Kuptimi ynë për rolin e shumë individëve mund të jetë i paplotë edhe sot, sepse ata refuzojnë t’u përgjigjen pyetjeve tona. Ne besojmë se Departamenti i Drejtësisë do të jetë në gjendje të krijojë një pamje më të plotë përmes hetimit të vet”, tha Raskin.

Ish-presidenti Trump prej kohësh ka mohuar vlefshmërinë e zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat i humbi me rreth 7 milionë vota diferencë, duke pretenduar për mashtrime të shfrenuara. Por dy vite e gjysmë nga ajo kohë, ai nuk ka paraqitur asnjë provë për të vërtetuar pretendimet e tij dhe ka humbur disa raste gjyqësore. Pretendimet e tij u hodhën poshtë edhe nga prokurori i tij i përgjithshëm, Wiliam Barr.

Më 6 janar, Trump u bëri thirrje mbështetësve të tij në kryeqytetin amerikan, duke u kërkuar atyre që të marshojnë drejt legjislaturës federale, derisa ligjvënësit përgatiteshin të kryejnë detyrat e tyre të mandatuara me kushtetutë për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve.

“Në fillim të hetimit tonë, ne kuptuam se dhjetëra miliona amerikanë ishin të bindur nga presidenti Trump se zgjedhjet e vitit 2020 u vodhën përmes mashtrimeve. Sistemi ynë ligjor funksionoi ashtu siç duhej, por presidenti ynë nuk do ta pranonta rezultatin. Ndër gjetjet më të turpshme të këtij komiteti janë se presidenti Trump u ul në dhomën e ngrënies së Zyrës Ovale, duke parë për orë të tëra trazirat e dhunshme në televizion dhe nuk lëshoi një deklaratë publike për t’i udhëzuar mbështetësit e tij të shpërndahen dhe të largohen nga Kapitoli, pavarësisht lutjeve urgjente të stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe dhjetëra të tjerëve për ta bërë këtë”, tha Liz Cheney, shefja e republikanëve në komitet.

Cheney tha se mosveprimi i Trump-it ishte i barabartë me një “dështim të plotë moral dhe shpërfillje e qartë e detyrës”.

Vota e komitetit është kryesisht simbolike dhe nuk e detyron Departamentin e Drejtësisë të veprojë. Agjencia tani do të vendosë nëse do të ngrejë ndonjë akuzë kundër ish-presidentit Trump ose aleatëve të tij për veprimet e tyre.

Pesë persona humbën jetën si pasojë e dhunës së 6 janarit dhe Kapitoli u dëmtua rëndë. Katër oficerë të zbatimit të ligjit vdiqën nga vetëvrasja si rrjedhojë.

Sulmi shënoi herën e parë që Kapitoli ishte pushtuar që kur forcat britanike e dogjën atë gjatë luftës së vitit 1812.

Related posts

Gjendet i vdekur personi që u zhduk në Vuçë të Leposaviqit

admin

Vuçiç vendosi shtatë kushtet për Kosovën, DASH: Dialogu është e vetmja rrugë përpara

admin

PE miraton raportet për Kosovën dhe Serbinë

rezart morina