Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se Ukraina ka vazhduar sulmet e saj pavarësisht armëpushimit të shpallur, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov, bëri deklarata lidhur me situatën në Ukrainë.
Ai rikujtoi se ushtria ruse që nga sot në orën 12:00 me kohën lokale ka filluar të zbatojë armëpushimin. “Pavarësisht se njësitë ruse kanë zbatuar armëpushimin, administrata e Kievit ka vazhduar sulmet e saj artilerike kundrejt vendbanimeve dhe ushtarëve rus”, theksoi Konashenkov.
Mes tjerash, Konashenkov bëri të ditur se trupat ruse u janë kundërpërgjigjur me zjarr pozicioneve të Ukrainës.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dje udhëzoi ministrinë ruse të mbrojtjes për zbatimin e një armëpushimi 36 orësh në Ukrainë duke filluar që nga sot në orën 12:00.
Në një deklaratë nga Kremlini u theksua se vendimi i armëpushimit është marrë për të siguruar mundësinë që të krishterët ortodoksë të marrin pjesë në ceremonitë fetare gjatë periudhës së krishtlindjeve, si dhe palës së Ukrainës u bëri thirrje të shpallë armëpushim.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, akuzoi Rusinë në një fjalim të enjten vonë se po përdor armëpushimin si mbulesë për të ndalur avancimin ushtarak të Ukrainës.