Një ngjarje tragjike ka ndodhur të shtunën mbrëma në Ferizaj, ku dy vajza njëra 18 vjeçare dhe tjetra 15, ranë nga kati i katërt i një objekti banesor.
Si pasojë e kësaj, njëra nga vajzat ka humbur jetën kurse tjetra ka pësuar lëndime trupore.
Zëdhënësi i policisë në Ferizaj, Kanun Veseli ka thënë për Telegrafin se vajzat janë motra mes vete.
Ai ka treguar se deri te rasti tragjik ka ardhur pasi që e ndjera kishte tentuar të kërcej ndërkaq motra e saj kishte tentuar që ta shpëtonte dhe si pasojë kanë rënë të dyja.
“Rasti është cilësuar si “vetëvrasje”. Nga hetimet që janë zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve, mësohet se e ndjera kishte tentuar të kërcej nga ndërtesa, ndërsa në përpjekje për ta shpëtuar motra vet, kanë rënë të dyja”, ka thënë Veseli për Telegrafin.
Rasti kishte ndodhur mbrëmë rreth orës 21:35.
“Me datën 21.01.2023 rreth orës 21:35 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në rrugën ‘Sandër Prosi’ në Ferizaj, dy vajza të moshës 18 dhe 15 vjeç kanë rënë nga kati i katërt i një objekti banesor”, deklaroi mbrëmë policia.
Sipas policisë, vajzat në gjendje të rëndë shëndetësore janë dërguar për trajtim të mëtejshëm mjekësor në QKUK-Prishtinë, ku më pas është konfirmuar edhe vdekja e 15-vjeçares.