Saranda Bogujevci ka folur para përfaqësuesve të shteteve në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Ajo ka thënë se Kosova është e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut, lirinë e medias dhe respektit e lirisë ndaj komuniteteve në Kosovë.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës ka thënë se strukturat kriminale po inkurajohen direkt nga presidenti serb për veprime në veri të vendit.
Ndërsa ka përmendur krimet e kryera nga serbët gjatë luftës në Kosovë, ka theksuar se Serbia asnjëherë deri sot nuk e ka distancuar veten nga krimet gjenocidale të Millosheviqit.
Ajo ka përmendur edhe grupin Wagner duke thënë se anëtarë të tij po hyjnë në Kosovë përmes Serbisë.
“Kosova si shtet po përballet me veprime ilegale të strukturave kriminale në veri të vendit të cilat po inkurajohen nga presidenti Vuçiq direkt. Serbia asnjëherë nuk e ka distancuar veten nga krimet gjenocidale të Millosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës dhe minoriteve gjatë vitit 1998-99. Vazhdon të koordinojë politika me Rusinë e të armatoset nga Rusia. Serbia jo vetëm që nuk ndëshkoi dhe vendosi sanksione kundër Rusisë, por është shumë shqetësuese të shihen anëtarë të Wagnerit që janë dukur në veri të Kosovës duke hyrë nga Serbia”.
Bogujevci ka shtuar se Serbia vazhdimisht po kërkon pretekste për ta destabilizuar veriun e Kosovës.
“Është e qartë se Serbia po kërkon vazhdimisht për pretekste për ta destabilizuar veriun e Kosovës. Po e bëjnë këtë sepse po përpiqen ta heqin veten nga dialogu politik me Kosovës, nga normalizimi i plotë i marrëdhënieve përmes marrëveshjes finale me njohje reciproke. Duke respektuar ligjin dhe duke luftuar krimin e organizuar nuk duhet të ketë alternativë dhe nuk është i adresuar në baza etnike, por në baza të veprimit të dikujt”, ka deklaruar Bogujevci.