RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmetTurqi

Kurti në Stamboll: Këtu nis një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar

kurti-ne-stamboll:-ketu-nis-nje-pjese-e-mire-e-zgjimit-tone-kombetar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit që ka zhvilluar të premten në Stamboll me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se në këtë qytet ka nisur “një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar”.

Ai në një konferencë për media pas darkës së punës, Kurti ka deklaruar se që nga poeti prishtinas i shekullit të 16-të, Mesilu e deri te Sami Frashëri e Hasan Prishtina, Stambolli ka qenë gravitim i popullit shqiptar.

“Është kënaqësi e veçantë që me ftesë të presidentit Erdogan ndodhem sot në qytetin historik të Stambollit – kryeqendër e dy perandorive, kryqëzim civilizimesh e kulturash, pikëtakim vlerash. Që nga Mesihu i Prishtinës, poeti prishtinas i shekullit të 16-të, e te Sami Frashëri e Hasan Prishtina, Stambolli ishte gravitim edhe i popullit tonë. Për ne Samiu është ndër etërit e rilindjes sonë kombëtare, për popullin turk konsiderohet prej themeltarëve të intelektualizmit modern. I po kësaj vije është edhe Hasan Tahsini, rektori i parë shqiptar i Universitetit të Stambollit, ku student ishte Hasan Prishtina, emrin e të cilit e mban sot Universiteti i Prishtinës. Në Stamboll nis një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar”, është shprehur kryeministri.

Ai tutje ka thënë se me presidentin Erdogan kanë biseduar për raportet miqësore Kosovë-Turqi dhe për mënyrat se si mund t’i thellojnë ato me siç ka thënë, vullnetin e dyanshëm që kanë.

“Folëm për mundësitë e reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar, të sigurisë e të mbrojtjes. Diskutuam edhe për zhvillimet në rajon dhe më gjerë. Jemi gjithmonë mirënjohëse për rolin e Turqisë në intervenimin e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, për ndaljen e gjenocidit mbi popullin e Kosovës e që solli çlirimin dhe paqen në vend; për kontributin e pakursyer në ndërtimin e institucioneve; shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Republikës sonë; dhe për mbështetjen e plotë e të pakursyer të Turqisë në politikën e jashtme”.

“E falënderova presidentin Erdogan për përkrahjen e zëshme të Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Këshill të Evropës. Në NATO na bashkon orientimi. Në Këshill të Evropës vlerat. Në të dyjat, na bashkon momenti kritik nëpër të cilin po kalon kontinenti i Evropës”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, një nga synimet kryesore të Qeverisë Kurti është krijimi i një mjedisi të favorshëm për të tërhequr investitorë të huaj, në mënyrë që të krijohet ekonomi e qëndrueshme.

“Turqia është ndër partnerët tonë kryesor ekonomik dhe tregtar. Kjo na gëzon, por nuk duhet të na mjaftojë. Le ta shfrytëzojmë aktualitetin e bashkëpunimit për ta arritur potencialitetin e madh të tij. Në Kosovë kemi komunitetin turk i cili ka luajtur një rol pozitiv dhe të rëndësishëm në historinë moderne të Kosovës, por jo vetëm, komuniteti turk është pjesë integrale e mozaikut tonë të pasur shoqëror dhe kulturor. Sot, përfaqësues të këtij komunitetit janë kudo në institucionet qendrore e lokale të Republikës së Kosovës duke dhënë kontributin e tyre për një Kosovë më të mirë, e për mirëqenie më të lartë”.

“Në anën tjetër, qytetarët e Republikës së Turqisë me origjinë nga Kosova po ashtu kanë luajtur një rol të veçantë me kontributin e tyre përgjatë historisë së Turqisë. Ata edhe sot janë një komunitet shembullor e i suksesshëm në Turqi. Bashkëjetesa është vlerë e të dy vendeve tona. Komuniteti turk në Kosovë dhe ai shqiptar në Turqi, janë urë e fuqishme e lidhjes mes dy shteteve tona. Bazën e kemi të mirë. Lidhjet e forta. Vullnetin e madh. Andaj, le të angazhohemi për më shumë mundësi, më shumë bashkëpunim dhe më shumë shkëmbim”.

Related posts

Policia izraelite hodhi gaz lotsjellës në xhaminë Al-Aksa gjatë namazit të sabahut

RTI

Gjermania: Në pranverë dërgojmë forcat shtesë në Kosovë për shkak të përkeqësimit të sigurisë

rezart morina

OKB: Rreth 26 milionë njerëz në Sudan janë në “uri akute”

RTI