Në qytetet turke dhe ato siriane shihen qytetarët me lot në sy duke pritur se do t’i shohin sërish familjarët e tyre që kanë mbetur nën rrënoja, e ekipit e shpëtimit shpresojnë që çdo person që ka mbetur nën rrënoja ta nxjerrin të gjallë, transmeton Telegrafi.

Derisa numri i viktimave në çdo moment është duke u rritur si në Turqi ashtu dhe në Siri, në rrjetet sociale vazhdimisht po publikohen video rrëqethëse, por edhe të atyre që humbën më të dashurit e tyre – e deri të familjet e tëra që u shuan në këtë katastrofë.

Pavarësisht që jo të gjithë e kuptojnë gjuhën që ata flasin, lotët e tyre dhe dhimbjen e kuptojnë të gjithë. Kështu videoja e një siriani, i cili në tërmetin shkatërrues humbi 12 anëtarë të familjes është bërë kryelajm i mediave botërore.

Në fakt, në lotët e këtij burri, sikurse tek të gjithë tjerët, askush nuk mund të qëndrojë indiferent apo të mund të kontrolloj emocionet.

“Kjo na ka thyer, na ka thyer shpinën”, thotë ky burrë që assesi të mund të pajtohet me fatin që e tërë familja e tij vdiq.

 

Është publikuar edhe një video tjetër e një djali të vogël nga Siri që kishte ngecur nën rrënoja në Turqi, të cilit i japin ujë nga kapaku i një shisheje të plastikës.

E kur merren të gjitha këto parasysh, ekziston një copë shprese se populli ka gjetur vullnet të madh të vazhdojë jetën dhe të ndihmojë ata që janë prekur nga ky tërmet.

3-vjeçari Arif Kan është nxjerrë pas 43 orëve që qëndroi nën rrënoja, kurse pamjet e djaloshit flasin më shumë sesa njëmijë fjalë.