Shqipëria ka shpallur 13 shkurtin ditë zie kombëtare, në nderim të viktimave të tërmeteve shkatërrimtarë dhe në shenjë solidariteti me Turqinë, transmeton Anadolu.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar në rrjetet sociale vendimin e Qeverisë së Shqipërisë për shpalljen e ditës së zisë.
“Qeveria Shqiptare ka vendosur që e hëna, 13 shkurt, do të jetë ditë zie kombëtare në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian, si edhe në shenjë solidariteti me Turqinë mike, e cila na u gjend pranë kur një fatkeqësi e ngjashme goditi Shqipërinë pak kohë më parë”, ka shkruar Rama.
Rama ka theksuar se ulja e flamurit kombëtar në gjysmë shtize dhe ndezja e një qiriri nga çdonjëri sipas dëshirës e mundësisë, “do të jenë shenjat kuptimplota të një të hëne të shënjuar prej dhimbjes njerëzore e solidaritetit popullor që i kapërcejnë kufijtë tanë”.
Zyrtarët e lartë të Shqipërisë në reagimet e tyre shprehën solidaritetin me shtetin dhe popullin turk pas tërmeteve shkatërrimtarë.
Ndërkohë, pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë kanë përcjellë mesazhet e tyre të ngushëllimit zyrtarët e lartë të Shqipërisë.
Gjithashtu një mision ndihme nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në përbërje të të cilit janë në total 73 personel mjekësor, specialistë të kërkim-shpëtimit, si dhe disa mjete, u dërguan në Turqi për të marrë pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit.