RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Borrell: Ukrainës i duhen më pak duartrokitje, e më shumë armë

borrell:-ukraines-i-duhen-me-pak-duartrokitje,-e-me-shume-arme

Lufta në Ukrainë është tema kryesore në diskutimet e Konferencës së Sigurisë në Mynih. Në ditën e fundit të kësaj ngjarje foli shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell i cili tha se Perëndimi duhet të ofrojë më shumë ndihma ushtarake për Ukrianën dhe se duhet të përshpejtojë dërgesat e saj.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian u kërkoi anëtarëve të bllokut të rrisin dhe përshpejtojnë mbështetjen ushtarake për Ukrainën. Josep Borrell tha të dielën në Konferencën e Sigurisë në Mynih se “çështja kryesore dhe më urgjente gjeopolitike e Evropës është armatosja e Ukrainës”.

Ai tha se është koha që të gjithë udhëheqësit ervropianë që po thonë se Ukraina duhet të mbizotërojë në luftë, të kalojnë nga fjalët në vepra.

“Zelenskyy dhe ukrainasit po marrin shumë duartrokitje por pak municione. Ky është një paradoks. Atyre u duhen më pak duartrokitje dhe më shumë furnizime me armë. Ukrainasit po luftojnë, po paguajnë një çmim të lartë me jetët e tyre. Kjo luftë po ndodh në tokën evropiane, duke prekur sigurinë tonë dhe atë globale”, tha z. Borrell.

Ai shtoi se Evropës i është dashur shumë kohë për marrjen e vendimeve kritike, siç është marrëveshja e muajit të kaluar për të furnizuar Kievin me tanke luftarake.

“Të gjithë e dinë se për të fituar një luftë, një luftë klasike me llogore, manovra apo armë të rënda, ju duhen tanket luftarake. Nuk mund ta fitoni luftën pa armë të tilla”, tha ai.

Z. Borrell tha se mungesa e municioneve është një çështje që duhet të adresohet brenda “disa javësh” dhe se kjo do të kërkojë nga vendet anëtare që të shfrytëzojnë rezervat e tyre ekzistuese.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në fjalimin e tij në ditën e parë të konferencës se Ukraina mund të garantojë dështimin e agresionit rus këtë vit nëse merr me shpejtësi armët e nevojshme.

Aleatët e Kievit kanë premtuar tanke luftarake ndërsa janë në negociata për furnizim të Ukrainës me raketa me rreze të gjatë veprimi.

Ndërkohë, kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas kërkoi nga perëndimi që të merren seriozisht kërcënimet që vijnë nga presidenti rus Vladimir Putin.

“Në vitin 1925 askush nuk e besonte Hitlerin edhe pse ai ishte i hapur për qëllimet e tij. Në vitin 2007 Putini ishte i qartë mbi qëllimet e tij këtu në këtë konferencë. Problemi është se askush nuk e besonte, por le ta besojmë tani”, tha zonja Kallas, vendi i së cilës kufizohet me Rusinë.

Sulmi gati njëvjeçar i Rusisë në Ukrainë ka dominuar diskutimet në konferencën e Mynihut, një mbledhje vjetore e zyrtarëve të sigurisë dhe mbrojtjes nga e gjithë bota. /voa

Related posts

24 vjet nga masakra në Mejë

admin

Një përmbledhje e zhvillimeve të fundit në Pa’lestinë

admin

Sveçla: Çështje e Urës së Ibrit është mbyllur më 2016-tën, nuk është pjesë e dialogut

admin