RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Escobari do të marrë pjesë në takimin e Ohrit

escobari-do-te-marre-pjese-ne-takimin-e-ohrit

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit në rundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ka konfirmuar Ambasada e SHBA-së në Shkup.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Escobar do të udhëtojë për në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të mbështetur këtë proces”, kanë thënë për REL-in nga Ambasada amerikane në Shkup.

Në takimin midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, blloku evropian pret që liderët të pajtohen për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.

Kurti dhe Vuçiq më 27 shkurt u pajtuan se nuk ka më nevojë për negociata për propozimin dhe shprehën gatishmërinë për të punuar në planin e zbatimit.

Më 18 mars, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i bllokut për dialogun, Mirosllav Lajçak, fillimisht do të mbajnë takime dypalëshe me Kurtin dhe Vuçiq, dhe më pas është paraparë të mbahet takimi i përbashkët.

Takimet dypalëshe pritet të nisin paraditen e së shtunës. Kryeministri Kurti është shprehur i gatshëm që gjatë takimit të Ohrit të nënshkruajë propozimin evropian, por Vuçiq ka shprehur qëndrimin se nuk i shkon “në mendje” të nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.

Propozimi i BE-së synon t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të raporteve. Ky propozim ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara, që ka argumentuar se “nuk ka marrëveshje më të mirë”./REL

Related posts

Dy nxënës goditen nga rryma elektrike në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë

admin

Më shumë se 134 milionë persona, shifra rekorde të turizmit në Itali më 2023

admin

Pasi vizitoi Zelenskyn, pritet të udhëtojë në Moskë për tu takuar me presidentin Vladimir Putin, Viktor Orban: Nuk jam në pozitë për të ndërmjetësuar mes Ukrainës dhe Rusisë

admin